“El Clasico”, erdhi dita/ Sfida për kreun, përballja mes Barcës dhe Realit

18/12/2019 15:06

Erdhi më në fund dita e El Clasicos së Camp Nout mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Supersfida e futbollit spanjoll dhe atij botëror ishte parashikuar të zhvillohej në 26 tetor, por u shty për shkak të tensioneve të forta të shpërthyera në atë moment në Katalonjë.

E megjithatë qetësia rreth kësaj sfide nuk është kthyer ende gjë që e tregojnë masat ekstreme të sigurisë të marra në prag të saj pasi për të janë angazhuar 4000 forca policie. Kjo ndeshje ka shumë rëndësi pasi mund të përcaktojë se cila prej tyre do të shkëputet në krye të renditjes me Barcelonën e Realin e Madridit që kanë 35 pikë. Barcelona dhe Real Madrid vijnë në këtë sfidë në një formë të shkëlqyer; katalanasit janë gati të hedhin në fushën Messi-Suarez-Griezmann, ndërsa Los Blancos do të besojnë te Benzema i mbështetur nga Bale dhe Isco.

Por El Clasico është edhe përballja mes brezave të rinj. Te Barcelona janë Ansu Fati, Carles Perez dhe Frenki De Jong me këtë të fundit që do të jetë në formacion, ndërsa te Reali i Madridit janë Federico Valverde,Vinicius dhe Rodrygo, nga këta vetëm Valverde pritet të jetë titullar. Sfida e Camp Nout është vijimi i 2854 ndeshjeve që Barcelona e Reali i Madridit kanë zhvilluar në total në 89 edicione të La Ligas kundrejt të gjitha rivalëve në kampionat teksa kanë treguar një forcë thuajse të barabartë sulmuese me 6137 gola të shënuar nga Reali kundrejt 6132 të Barcelonës.

Diferencat më të mëdha janë te fitoret dhe pikët. Reali i Madridit ka 1700 fitore në 2854 sfida, ndërsa Barcelona 1646. Përsa u përket pikëve, klubi merenges që ka 33 tituj kampion në La Liga ka akumuluar 4564 pikë, ndërsa Barcelona me 26 tituj ka arritur në 4477 pikë. ‘El Clasico’ i futbollit spanjoll që do të ndiqet nga qindra milionë shikues në mbarë botën, në Shqipëri vjen nëpërmjet platformës Digitalb

Top Channel