Turne memorial në futboll të vogël, në kujtim të dëshmorëve të lirisë

17/12/2019 10:54

Në kujtim të dëshmorëve të lirisë së Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, që heroikisht ranë më 31 janar të vitit 1997, zhvillohet turne në futboll të vogël.

Ceremonia e hapjes së këtij turneu do të bëhet më 26 dhjetor, në ora 18:00 në sallën 1 Tetori, në Prishtinë, ku edhe do të zhvillohen garat për katër ditë (deri më 29 dhjetor), ndërsa finalet luhen në sallën e Pallatit të Rinisë, në Prishtinë, më 30 dhjetor.

Për pesë ditë, prej 26 deri më 30 dhjetor, do të jenë 8 ekipe të fëmijëve (deri 9 vjeç), 16 ekipe të të rinjve (deri 15 vjeç) dhe 16 ekipe të të rriturve, që do të garojnë në tri kategori: fëmijët (U9), të rinjtë (U15) dhe të rriturit (senior).

Për vendet e para të të gjitha kategorive do të ofrohen shpërblime nga organizatori, kurse për kategorinë e seniorëve shpërblehet edhe vendi dytë. Pjesëmarrja e skuadrave, ashtu sikurse hyrja e shikuesve, është pa pagesë.

Ky turne organizohet nga Vlera Sport, dhe mbështetet nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Aktiviteti ndihmohet edhe nga institucione shtetërore dhe ndërmarrje private.

Në ceremoninë e hapjes, do të ketë edhe program artistik, ku gjithsesi veçohet prezenca e artistit shumë të dashur dhe ikonës së muzikës argëtuese shqipe, këngëtarit Sabri Fejzullahu.

Top Channel