Instancat më të larta të futbollit italian ndërmorën një nismë për të luftuar racizmin që kohët e fundit është shfaqur shpesh në stadiume.

Lega Serie A vendosi të përdorë artin në këtë nismë dhe prezantoi projektin e artistit Simone Fugazzotto; 3 kuadro me 3 majmunë për të shprehur vlerat e integrimit, kulturave të shumta dhe vëllazërisë. Vepra që është titulluar “Il Trittico” ka hapur shumë diskutime, por drejtuesit e Legës dhe vetë autori i saj e kanë mbrojtur këtë zgjedhje teksa deklaruan se këto kuadro pasqyrojnë Fair Play dhe tolerancën.

Nëse kreu i legës, De Siervo tha se lufta kundër racizmit është në 3 plane, Fugazzotto shpjegoi në detaje veprën e tij.

“Jemi të gjithë të barabartë, është e kotë që të vijohet me britmat kundër njerëzve me ngjyrë duke i quajtur majmunë e duke u hedhur banane. Nëse nuk arrini të kuptoni se jemi të gjithë njerëz, ju them se jemi të gjithë majmunë barazi”, -tha Fugazzotto.

Megjithatë shpjegimet e artistit nuk bindën shumë 2 klube të Serisë A, Roma dhe Milan që e kundërshtuan këtë ide nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale. Roma në postimin e saj theksonte se nuk ishte kjo mënyra e duhur për të luftuar racizmin, ndërsa në postimin e Milanit ndër të tjerat lexohej: ‘Arti mund të jetë një armë e fortë, por nuk jemi aspak dakord në përdorimin e imazhit të majmunit në luftën kundër racizmit’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA