Edhe Meta kundër “anti-shpifjes”: Pa media të lirë, rruga e Shqipërisë drejt BE-së e pamundur

17/12/2019 13:33

Edhe Presidenti Ilir Meta është shprehur kundër paketës anti-shpifje që është parashikuar të kalojë nesër në Parlament.

Duke shpërndarë reagimin kundërshtues të bërë nga Këshilli i Evropës, Meta thekson se “Shqipëria nuk ka nevojë për rekorde të tjera negative ndërkombëtare! Mjaft me nxitimin për t’i shtuar ato më tej!”

  Këshilli i Evropës kundër “anti-shpifjes”: Jo në përputhje me lirinë e medias, të rishikohet

Presidenti kërkon që të dëgjohen shqetësimet e gazetarëve mbi këtë paketë, që sipas Qeverisë synon të rregullojë median online, pasi pa media të lirë, rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e pamundur.

“Shqetësimet e komunitetit të gazetarëve dhe të partnerëve tanë duhet të dëgjohen me shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri! Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur”, shprehet Meta.

Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë paketën anti-shpifje me pretendimin se ajo nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon Qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.

Siç parashikohet në paketë, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje. Ndërkohë, kundërshtarët e paketës theksojnë se ky vendim mund të merret vetëm nga Gjykata dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë kompetencat që i takojnë drejtësisë.

  “Paketa antishpifje”, eurodeputeti: Nëse miratohet, Shqipëria rrezikon Presidencën e OSBE

  “Mos na prek fjalën”, nesër protestohet te Parlamenti kundër paketës “antishpifje”

Top Channel