Rinisin protestat në Hong Kong në prag të takimit Lam-Jinping

16/12/2019 12:36

Policia në Hong Kong ka thënë më 16 dhjetor se zyrtarët policorë kanë hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve kundër qeverisë, ndërkohë që pritet të zhvillohet një takim i rëndësishëm në mes të lideres së këtij qyteti, Carrie Lam dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping në Pekin.

Lam pritet të takohet me presidentin Jinping, teksa janë shtuar zërat se ajo do të tentojë t’i japë fund krizës politike në Hong Kong, përmes rregullave të reja, duke përfshirë një ristrukturim të kabinetit.

Ajo ka thënë se ka prioritet që të ndalë dhunën dhe të kthejë rregullin, derisa mban të hapur dialogun me publikun.

Gjatë natës, në disa pamje janë parë përleshjet në mes të zyrtarëve policorë dhe protestuesve nëpër qendra tregtare.

Protestuesit kanë hedhur tulla drejt zyrtarëve policorë, kanë bllokuar rrugët, kanë nisur zjarr dhe kanë dëmtuar shenjat e komunikacionit me shkopinj, është cituar të ketë thënë policia sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press.

Protestat në Hong Kong kanë nisur në muajin qershor për shkak të një ligji për ekstradim.

Ky dokument është anuluar, mirëpo protestuesit ndërkohë kanë rritur kërkesat e tyre.

Ata janë të zemëruar pasi shohin ndërhyrjen kineze në liritë e Hong Kongut, të premtuara ndaj këtij vendi kur Britania i ka dorëzuar Kinës këtë territor më 1997.

Hong Kongu, është pjesë e Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”. Radio Europa e Lire

Top Channel