Italianët të trembur nga tërmetet e lehta. Me 3.4 Rihter dalin të tmerruar në rrugë, mbyllen shkollat

16/12/2019 13:09

Lëkundjet e tokës, që pas tërmetit me magnitudë 6.4 Riohter të 26 nëntorit në Shqipëri, kanë qenë të shpeshta në rajon, pa kursyer vendet fqinje si Italia, Greqia, Bosnja apo Mali i Zi. Në vendin tonë, pavarësisht frikës që ende ndjehet, njerëzit po tentojnë të kthehen në normalitet, ndërsa në Italinë fqinje, mjafton një tërmet me magnitudë 3 Rihter që të nxjerrë njerëzit në rrugë, të mbërthyer nga paniku.

E kjo, ndoshta edhe për shkak të tmerrit nga ajo që panë përtej Adriatikut, pak javë më parë.
Në Benevento, në Itali, janë regjistruar të paktën katër tërmete nga ora 9 deri në 10 të mëngjesit të së hënës, më i forti 3.4 Rihter. Dhe kjo ka bërë që njerëzit të zbresin nëpër rrugë, zyrat publike dhe shkollat të mbyllen ndërkohë që me dhjetëra telefonata paniku kanë marrë skuadrat e zjarrfikësve.
Lëkundja e parë është regjistruar në orën 9.06, 3.4 Rihter, e dyta dy minuta më vonë 3.2 Rihter. Ndërsa tërmeti i tretë dhe i katërt janë regjistruar në 9.52 dhe 9.53, 3 dhe 3.4 Rihter. Autoritetet vendosën të mbyllnin institucionet shkollore dhe godinat publike ndërkohë që për momentin nuk ka të dhëna për dëme.
Pak ditë më parë, paniku u rikthye edhe përreth zonës së L’Aquilas, ku një tërmet me force të ulët, solli në kujtesë tmerrin e tërmetit të 2009-ës që rrafshoi qytetin.

Top Channel