Aureli dhe Alesio në shkollë/ Dy të miturit që i shpëtuan shembjes së pallatit shoqërohen nga Rama

16/12/2019 19:29

Kryeministri, Edi Rama ka shoqëruar për në shkollë Aurel Lalën dhe Alesio Cakonit. Dy të miturit i shpëtuan tërmetit të 26 nëntorit duke u hedhur nga lartësi të ndryshme. Sot për ta nisi një cikël i ri jetë, duke u larguar përgjithmonë nga Thumana.

Edi Rama: Mirëmëngjesi! Ky është Alesio shoku ynë më i ri. Ka ardh nga Thumana këtu.

Tërmeti i 26 nëntorit Alesion i mori babain dhe motrën, për këtë arsye gjendja e tij psikologjike është e rënduar.

“Pamë që ishte tip i mbyllur. E mirëpritëm me dhurata më pas i lash një vizatim të lirë dhe pash që vizatoi një shtëpi dhe një makinë. Ai është më rëndë psikologjikisht, edhe pse gjatë gjithë kohës unë bëra aktivitete festive me fëmijët e tjetër. Gjatë kohës që rrinte me fëmijët e shikoja që herë pas here qeshte”, thotë Ardian Xhaferraj.

Ndërsa Aureli i vogël duket se fatmirësisht po harron gjithçka, këtë e tregon buzëqeshja e tij.

“Aureli ishte një djalë tepër inteligjent dhe u përfshi menjëherë në grupin e nxënësve të shkollës tonë dhe u vendos menjëherë në punë do të thotë që ai nuk kishte humbur asgjë nga momenti që ishte shkëputur nga shkolla. Punonte mirë në grup dhe na kënaqi me një pikturë”, tha Dritan Bresa.
Kreu i vendit që në ditët e para i premtoi dy të miturve që kurrë nuk do të jenë vetëm dhe se do t’i përkrah ata gjithnjë.

Edi Rama: Duhet të jeni kampion në mësime do t’ju ndjek hap pas hapi deri kur të përfundoni universitetin.

Top Channel