Miliona euro, paund dhe dollarë; dënohet me burg ish-presidenti që sundoi për 30 vite

14/12/2019 16:18

Omar al-Bashir, ish-president i Sudanit, është dënuar me dy vite burg për korrupsion. Gjykata në Khartoum e shpalli 75-vjeçarin fajtor për korrupsion dhe posedim të paligjshëm të monedhave të huaja.

Al-Bashir sundoi në Sudan për 30 vite, për t’u rrëzuar në muajin prill nga një grusht shteti, i cili pasoi protestat disa mujore të popullit kundër presidentit.

Ish-presidentit i janë sekuestruar në shtëpi 7 milionë euro, 5 milionë paund sudanezë dhe 351 mijë dollarë.

Edhe pse mbështetësit e Omar al-Bashir e kundërshtuan procesin gjyqësor, kjo nuk e pengoi gjykatën ta dënonte me burg.

Për shkak se ligji në Sudan parashikon që personat mbi 70 vjeç nuk mund të shkojnë në burg, ish-presidenti 75 vjeçar do e vuajë dënimin në një ‘institucion riedukimi’.

Top Channel