Udhëtarët francezë u përballën me ditën e dhjetë të grevës së transportit me pak shpresa se gjithçka do të kthehet në normalitet ditët në vijim pasi sindikatat kanë thënë se do ta vazhdojnë protestën e tyre kundër reformës së pensioneve edhe gjatë festave, nëse qeveria nuk do të tërhiqet.

Zyrtarët kanë thënë se janë të gatshëm të negociojnë, me ministrin e edukimit, Zhan Michel Blanquer, që është takuar me përfaqësues të mësuesve në përpjekje për të evituar mbylljen e mëtejshme të shkollave.

Ndërkohë që perspektiva e vazhdimit të grevës ka bërë që edhe bizneset të druhen për humbje të mëdha gjatë periudhës së festave të fundvitit ndërkohë që udhëtarët shqetësohen se planet e tyre të pushimeve do të bllokohen.

Vetëm pak trena mbërrijnë dhe dalin nga Gare Du Nord, stacioni më i frekuentuar në Evropë ndërkohë që kryeministri Eduard Philippe i ka kërkuar operatorit hekurudhor të informojë udhëtarët për oraret gjatë periudhës së festave që fillon të shtunën e ardhshme.

Parisi është mbërthyer nga bllokimet në trafik pasi edhe pjesa më e madhe e linjave të metrosë kanë qëndruar të mbyllura me vetëm pak autobusë dhe tramvaje në funksionim. Për sa i takon trenave, tre në katër prej tyre kanë qëndruar të ndalur.

Presidenti Emmanuel Macron ka shfaqur solidaritetin me të prekurit nga greva por ka thënë se qeveria do të vazhdojë punën për krijimin e një sistemi të vetëm pensionesh, që ka qenë edhe një nga premtimet kryesore të tij në fushatë elektorale. Reforma do të bënte që 42 skema të veçanta pensioni që funksionojnë aktualisht, disa që ofrojnë dalje më të shpejtë në pension dhe të tjera përfitime për punonjësit e sektorit publik, të mblidhen në një.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA