Partia konservatore e Boris Johnson-it arriti një fitore dërrmuese në zgjedhjet e së enjtes, dhe reagimet e liderëve botërorë nuk vonuan të mbërrijnë.
Për Donald Trump, triumfi i Xhonsonit nënkupton se Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë të lira të vulosin një marrëveshje të re “masive” pas Brexit.
“Kjo marrëveshje ka potencialin të jetë shumë më e madhe dhe më fitimprurëse se çdo ujdi që mund të bëhet me BE. Festoni për Borisin, ” ka shkruar në Twitter presidenti amerikan.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel deklaroi se blloku është i gatshëm të negociojë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Britaninë, por i bëri thirrje Londrës të punojë me mirëbesim. Ai shtoi se Brukseli shpreson për një votim të shpejtë parlamentar britanik mbi tërheqjen nga blloku.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e përgëzoi kryeministrin britanik për atqë ajo e cilësoi si një “fitore të jashtëzakonshme”. Pres me padurim të punoj me ju, për miqësinë dhe bashkëpunimin e fortë midis kombeve tona, ishte mesazhi i saj.
Ndaj këtij zhvillimi të rëndësishëm reagoi dhe ministri i jashtëm izraelit, Israel Katz, i cili foli për një “fitore të vlerave” ndaj antisemitizmit. Ai i së enjtes konsiderohet si rezultati më i mirë i konservatorëve prej disa dekadash. Shumica absolute i mundëson kryeministrit, Boris Johnson që të kalojë në parlament marrëveshjen e negociuar së fundmi me BE.
Me këtë Britania e Madhe sipas të gjitha gjasave do të dalë nga Bashkimi Europian në 31 janar. Para përkrahësve ai u shpreh se qeveria e tij ka marrë një “mandat të fuqishëm për ta përfunduar Brexit”. Johnson premtoi se “do ta çojë vendin përpara dhe do të fokusohet tek prioritetet e popullit britanik.
Top Channel