Thaçi thërret Parlamentin e ri/ Kurti takon Mustafën, ende nuk ka dakordësi për qeverinë

12/12/2019 04:30

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, për datën 24 dhjetor.

Në një deklaratë të zyrës së shtypit të presidentit, thuhet se presidenti ka vendosur të thërrasë mbledhjen e parë të legjislaturës së shtatë të Kosovës, më datën 24 dhjetor 2019, në ora 9.00. Kryetari dhe kryesia e legjislaturës së shkuar do të përgatisë rendin e ditës për takimin konstituiv të parlamentit të ri.

KQZ çertifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 tetorit, më 27 nëntor. Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në kuvend, LDK-ja 28, PDK-ja, 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë. Ndërkaq, nga komunitetet joshumicë, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve joserbe.

Por ndërsa parlamenti i ri duket se ka marrë formë, ajo që ende mungon është qeveria e re. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy forcat që kanë rezultuar të parat në zgjedhje, nuk kanë mundur ende të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për qeverinë e koalicionit dhe nuk e bënë këtë as mbrëmjen e të mërkurës kur liderët Albin Kurti dhe Isa Mustafa u takuan sërish.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK tha pas takimit se të dy liderët kanë rënë dakord që ti intensifikojnë takimet në ditët në vijim me qëllim arritjen e një marrëveshjeje por nuk ka pranuar dhe as mohuar nëse shkak për tejzgjatjen e bisedimeve është posti i presidentit.

Top Channel