Presidenti i SHBA Donald Trump do t’u përgjigjet akuzave të demokratëve për shkarkimin e tij, kur procedura të kalojë në fazën e gjykimit në Senat, ku republikanët kanë shumicën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Reagimi vjen pas i një ditë më pare, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve bënë publikë të dy akuzat: shpërdorim pushteti dhe pengim të Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan. Shtëpia e Bardhë zgjodhi të mos ngrejë argumente kundër akuzave në prag të hedhjes së tyre në votë në Dhomën e Përfaqësuesve, që do të bëhet së shpejti.
“Presidenti do t’u përgjigjet këtyre akuzave të rreme në Senat dhe pret që ky i fundit ta nxjerrë plotësisht të pafajshëm, sepse nuk ka bërë asgjë të gabuar“, tha sekretarja për shtyp, Stephanie Grisham. Deklarata e saj nuk sqaroi se si do t’u përgjigjet akuzave kreu i shtetit. E pyetur në një intervistë për Fox News nëse Trump do të donte të dëshmonte në Senat, Grisham tha se nuk ishte në dijeni.
“Unë nuk dua t’i paraprij asaj që ai mund të bëjë por jam e sigurt se do të marrim pjesë në një farë mënyre, sigurisht me këshilltarin tonë,” tha ajo. Aparati politik i Shtëpisë së Bardhë dhe i Presidentit Trump, që përfshijnë fushatën e tij të rizgjedhjes dhe Komitetin Kombëtar Republikan, kanë zgjedhur të sulmojnë procesin e shkarkimit në vend që të debatojnë faktet e paraqitura nga demokratët.
Top Channel