Agron Tare do të jetë zëvendës-ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë, i treti që do e mbajë këtë post. Vendimi është bërë sot publik nga Kryeministria.

Sokol Dedja dhe Etjen Xhafaj janë dy zv/ministrat e tjerë  të Jashtëm, ndërkohë që Gent Cakaj është ministër i Jashtëm në Detyrë, me kompetenca të deleguara nga Edi Rama, ‘de jure’ ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Kjo situatë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është krijuar pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të mosdekretuar Cakajn në krye të institucionit, ndërsa kryeministri Rama nuk u tërhoq nga propozimi i tij.

Sa i përket Agron Tares, zv/ministri i ri ka një karrierë të konsiderueshme në diplomaci.

Në vitin 2000, ai ka qenë zyrtar në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare në MPJ, për t’u emëruar më pas drejtor i Zyrës së Minoriteteve. Nga viti 2001 deri në 2005-ën, Tare ka qenë këshilltar i Jashtëm në bashkinë e Tiranës, kur ky institucion drejtohej nga Edi Rama.

Në vitet 2002-2006, Agron Tare ka qenë anëtar i Grupit Negociator mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE, ndërsa  në vitet 2014 – 2019 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll.

Deri në tetor të këtij viti, Tare ishte drejtor i Portit të Durrësit.

Përpara se të merrte detyrën e rëndësishme në portin më të madh të vendit, Agron Tare u përfol në media se kishte probleme me drejtësinë italiane mbi bastet online, por më pas u konfirmua se Prokuroria e Barit nuk kishte ngritur asnjë akuzë ndaj tij.

Agron Tare është vëllai i drejtorit Sportiv të Lazios, Igli Tare, si dhe i aktivistit Auron Tare.

  Mbledhja e Këshillit të Ministrave/ 3 ndryshime në qeverinë e Ramës

Kush janë dy zëvendësministrat e rinj të Arsimit?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA