Debatet për pasuesin e Vokrrit/ FFK në dilemë për mandatin

11/12/2019 14:31

Debati mes Federatës së Futbollit të Kosovës me ish-zëvendëssekretarin e FFK-së, Arianit Ahmeti për pretendimet se mandati i kryetarit aktual bie në kundërshtim me statutin e federatës tashmë ka marrë vëmendjen edhe të shtëpive të futbollit.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu pritet të udhëtojnë për në Cyrih të Zvicrës, pasi të premten do të takohen me përfaqësuesit e FIFA dhe UEFA.

Lajmi për takimin është konfirmuar për Top Channel nga vetë Salihu, derisa pretendimet e Ahmetit i ka vlerësuar si presion me qëllim të ndërhyrjeve politike.

Vetë Ahmeti thotë se përzgjedhja e Agim Ademit ishte bërë me qëllim të vazhdimit të mandatit të lënë nga i ndjeri Fadil Vokrri, dhe jo për dhënien e mandatit të plotë katër vjeçar, pasi sipas tij bie në kundërshtim më statutin e federatës.

Por, gazetari i sportit, Dren Gërguri tregon se dhënia e mandatit prej katër vjetësh për Ademin në korrik të 2018-ës ishte bërë në prani të përfaqësuesve të FIFA dhe UEFA.

Ahmeti pas shkarkimit nga detyra ka publikuar një grafikë me të dhëna të FFK-së, ku tregohet se më pak se 3 mijë bileta janë vendosur për shitje në sistemin online për ndeshjen me Anglinë.

Këto të dhëna i kanë konfirmuar edhe burime të Top Channel në federatë, të cilët kanë thënë se komiteti ka vendosur që pjesën më të madhe të biletave ta ndajnë për regjionet e federatës.

Por, përkundër se vendimi i komitetit është i ligjshëm, FFK-ja sërish deklaronte se pjesa më e madhe e biletave do të shiten online.

Top Channel