Në intervista të punës, qëllimi kryesor i të gjithë kandidatëve është të lënë një përshtypje të mirë që të ngelin në mendjen e rekruterit ose punëdhënësit, dhe si rrjedhojë ta marrin atë vend pune.
Po aq sa është e rëndësishme të përgatiteni se si t’i përgjigjeni disa pyetjeve të mundshme, ju duhet të keni parasysh edhe se çka duhet të shmangni në intervistë, pra cilat veprime nuk duhet t’i bëni apo çka nuk duhet të thoni.
Bashkëthemeluesi i kompanisë së rekrutimit, Mercurius Consulting, Shkumbin Ibraimi, njëkohësisht rekruter me përvojë, në një intervistë për KosovaJob, foli rreth disa shprehive të cilat kandidatët duhet t’i shmangin në intervista të punës.
Vonesa në intervista të punës
Në një intervistë pune duhet të respektohet orari që iu është caktuar. Kandidatët që vonohen do të japin sinjalin se mund të mos jenë profesionalë dhe nuk kanë disiplinë. Ibraimi këshillon kandidatët që të jenë aty 5 ose 10 minuta më herët.
“Menaxherëve të burimeve njerëzore nuk u pëlqen nëse vonoheni për intervistë. Unë rekomandoj të shkoni aty 5 ose 10 minuta më herët. As më shumë se 10 jo, sepse nëse shkoni shumë herët mund ta vëni kompaninë në vështirësi apo të pengoni intervistën paraprake. E them këtë ngase ka kompani që nuk duan t’i takojnë kandidatët njëri me tjetrin”, tha ai.
Mos gënjeni në intervista të punës
Një tjetër shprehi negative të cilën Shkumbini e përmend është gënjeshtra në intervista të punës. Ai thotë se kandidatët shpeshherë shtojnë në CV-të e tyre përvoja që nuk i kanë pasur realisht më herët, vetëm që ta kalojnë fazën e parë të intervistës.
Sipas Ibraimit, kjo është e pa tolerueshme dhe lehtë mund të kuptohet. Shumica e punëdhënësve kërkojnë nga kandidatët ta elaborojnë një përvojë pune dhe nëse i njëjti nuk arrin të jetë bindës, ai do ta humbasë mundësinë qysh në fazën fillestare.
Mos i jepni intervistës frymë negative
Duke u bazuar në përvojën e tij shumëvjeçare në rekrutim, Shkumbin Ibraimi thotë se ka shumë kandidatë të cilët i japin intervistës një frymë negative, e shohin nevojën të arsyetohen, të mbrohen vazhdimisht.
“Ne, kur i marrim në intervista, tentojmë që ta ruajmë pozitivitetin, mundohemi të fokusohemi vetëm në gjërat qe janë pozitive tek një kandidat. Edhe kandidatët duhet të kenë kujdes që të mos e shpijnë bisedën kah negativiteti sepse këto gjëra nuk u pëlqejnë as intervistuesve. Arsyetimet në intervista nuk janë të mira, nuk i rekomandoj, duhet ta ruajmë neutralen dhe pozitiven”, theksoi ai.
Mos tingëlloni sikur e doni atë vend pune me çdo kusht
Ka shumë kandidatë të cilët gjatë gjithë intervistës e potencojnë se sa e duan atë vend pune, çka nuk rekomandohet të bëhet. Shkumbini thotë se punëdhënësve duhet t’iu bëni pyetje në intervista, të interesoheni edhe ju pak rreth tyre dhe jo vetëm ata rreth jush. Kjo konsiderohet si diçka që e balancon intervistën.
Mos shkoni të papërgatitur
Ndër gjërat tjera që intervistuesit nuk rekomandojnë është edhe shkuarja të papërgatitur në intervista të punës, d.m.th., pa lexuar pak rreth kompanisë, kulturës së tyre, produkteve, etj. Mirëpo, rol të rëndësishëm luan edhe paraqitja.
“Unë jam dëshmitar i shumë intervistave dhe kandidatët nuk i pyes nëse kanë njohuri për kompaninë ose jo sepse ne nuk e përmendim klientin, mirëpo në rastin tonë, pas intervistave të para kandidatët veç informohen për klientin dhe unë pres prej tyre që në fazat tjera të vijnë të informuar rreth kompanisë”, vijoi Ibraimi.
Ai nënvizoi se edhe paraqitja duhet po ashtu të jetë në nivel. Kur flet për paraqitjen, ai thotë se duhet të jetë profesionale. Edhe pse kompanitë kërkojnë talentin, ka edhe kompani që i kushtojnë goxha rëndësi paraqitjes, ndaj është mirë të keni një prezantim të duhur.
Mos flisni keq për punëdhënësin e kaluar
Ka edhe raste kur kandidatët fajësojnë kompaninë ose kolegët apo i tregojnë vetëm anët negative të kompanisë ku kanë punuar në të kaluarën. Kjo nuk do t’i pëlqejë punëdhënësit potencial. Ibraimi këtu thekson se të gjithë punëdhënësit në raste të tilla mund të mendojnë se si do të flisni ju në të ardhmen për ta, në rast se bëheni pjesë e kompanisë.
“Kur ju pyesin se pse dëshironi të bëheni pjesë e kompanisë, më e mira që mund të thoni është se jeni të interesuar për një përvojë të re, në një industri të re por assesi të flisni keq për kompaninë ku keni punuar” theksoi ai.
Mos u ndjeni të rezervuar në pyetje të vështira
Një ndër pyetjet më të zakonshme në intervista të punës por njëkohësisht edhe më e vështira për kandidatët, është : “Cilat janë dobësitë tuaja?”. “Mos jepni përgjigje klishe, p.sh unë jam punëtor shumë i madh, në asnjë mënyrë mos e shndërroni dobësinë tuaj në aftësi, më mirë do të ishte nëse e tregoni një përvojë kur keni dështuar në një rast dhe pastaj e tregoni se si keni arritur ta menaxhoni apo çka keni mësuar prej asaj përvoje”, vijoi Ibraimi.
Mos lini përshtypje se do të punoni për një kohë të shkurtë
Diçka që punëdhënësit nuk e pëlqejnë është nëse ua krijoni përshtypjen se do të qëndroni vetëm afatshkurtër në një ambient të punës. Kjo mund të jetë edhe më e dukshme në Kosovë, pasi që emigrimi është akoma i shpeshtë.
“Një prej pyetjeve që zakonisht mund të shtrohet në intervista të punës është edhe ku e sheh veten kandidati në 3 apo 5 vitet e ardhshme, e ka edhe prej atyre që thonë se duan të largohen nga shteti, të studiojnë jashtë, të hapin ndonjë dyqan online, etj. Në bazë të përvojës time, një punëdhënës kur e merr dikë në punë, pret që ai person nuk do të largohet nga puna të paktën 3 deri në 5 vite”, u shpreh Ibraimi.
Mos pyesni për pagën
Si e fundit por jo më pak e rëndësishme është edhe kureshtja për pagën. Sipas Shkumbin Ibraimit, intervistat ndahen në disa faza, prandaj kandidatët duhet të kenë durim të presin fazën kur shtrohet në tavolinë edhe çështja e pagës.
Krejt në fund, ai theksoi se një intervistë e mirë konsiderohet të jetë ajo intervistë që zgjatë 30 deri në 40 minuta ani pse varet edhe nga pozita e punës për të cilën intervistohet personi. Pas 45 minutave, ai thotë se intervista mund të kalojë në monotoni.
Top Channel