Pas lëkundjeve të fuqishme të tërmetit, sot u hapën dyert e shkollave. Por si nisi ora e mësimit?

“Na mësuan si të mbrohemi nga tërmeti; pati dhe psikologë. Na thanë që shkolla jonë është e sigurt dhe se nuk duhet të kemi frikë”, shprehen nxënësit.

Tërmeti i 26 nëntorit ka dëmtuar 38 shkolla në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Numri më i madh i shkollave të dëmtuara është në Tiranë, Durrës dhe Shijak.

Vetëm në Tiranë janë dëmtuar 9  shkolla, të cilat ende nuk kanë hapur dyert për nxënësit e tyre. Pavarësisht kësaj, procesi mësimor ka nisur normalisht në shkolla të tjera. Ministria e Arsimit pasi ka marrë nga grupi i terrenit akt-konstatimet për gjenden e shkollave ka vendosur që 9 shkollat e dëmtuara të zhvillojnë mësimin në shkollat pritëse.

Për shembull nxenësit e shkollës “Sami Frashëri”, kanë shkuar në shkollën Çajupi dhe në gjimanzin “Qemal Stafa”.

Nxënësit e shkollës “Murat Toptani” janë drejtuar pranë shkollës “26 nëntori”. Ndërsa nxënësit e “Musine Kokalarit” po zhvillojnë mësimin në shkollën 9-vjeçare Betim Muco. Duke qenë se në këto shkolla numri i nxënësve është më i lartë se hapësirat që zotërojnë shkollat, mësimi zhvillohet me dy turne. Ndërsa distanca mes shkollës së dëmtuar dhe asaj pritëse është mbi 2 km, transporti paguhet nga buxheti i ministrisë.

Një tjetër shkollë që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit ishte “Emin Duraka”, e cila ndodhet në zonën e ish-bllokut. Kjo shkollë bëhet nga dy godina dhe ajo që është dëmtuar është e ciklit fillor për pasojë nxënësit do ta zhvillojnë mësimin në godinë e ciklit 9-vjeçar, gjatë turnit të dytë.

“Kemi frikë, por mësuesja na tha që shkolla është e sigurt. E solla nipin sepse thanë që shkolla ska problem ata duan të mirën tone, andaj nuk kam frikë ”, shprehen familjarët.

Top Channel