Shqipëria bojkoton ceremoninë e Nobelit në Letërsi, Cakaj: Justifikimi i mizorive të luftës s’duhet të shpërblehet

09/12/2019 13:33

Pas Kosovës, ceremonia e ndarjes së çmimeve Nobel në Suedi do të bojkotohet edhe nga Shqipëria.

Lajmi u bë me dijeni nga ministri Gent Cakaj, që ndër të tjera shkruan se justifikimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet.

“Duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken.

Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit.

Ndaj, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi.

Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë”, shkruan Cakaj.

Dhënia e çmimit Nobel të Letërsisë për Peter Handke-n, i njohur si adhurues i Millosheviçit solli polemika të shumta.
  Zëdhënësi i Presidencës Turke kërkon tërheqjen e Çmimit Nobel për Peter Handke
  Kosova bojkoton Nobelin/ Çmimin do e marrë adhuruesi i Miloshevicit
  Krasniqi: Përse të mos i jepej Çmimi Nobel për Humanizëm Milloshevicit

Top Channel