Werderi befasohet nga Paderborni, gëzon Gjasula, trishtohet Rashica

08/12/2019 22:45

Paderborni i Klaus Gjasulës mundi minimalisht Verderin e Milot Rashicës, me një gol të shënuar pikërisht në sekondat e fundit të takimit, duke lënë përkohësisht fundin e klasifikimit në kampionatin gjerman. Në Weserstadion, përpara 40.000 spektatorëve golin e vetëm të ndeshjes e realizoi pikërisht sulmuesi Sven Michel, që shënoi në portën e zbrazur.

Goli i realizuar pikërisht në minutën e fundit të sfidës u vlerësua si i rregullt nga kryesori Sascha Stegemann që pasi u këshillua fillimisht me asistentët e Sistemit VAR e gjykoi në lojë pozicionin e sulmuesit me origjinë kongoleze Streli Mamba. Fitorja e dytë në këtë edicion të Bundesligës për ekipin e drejtuar nga Steffen Baumgart dhe falë suksesit 1-0 Paderborni u ngjit në vendin e parafundit, në kuotën e 14 pikëve, ndërkaq Bremeni mbeti në pozicionin e 14, me vetëm gjashtë pikë më shumë.

Dita e diel në kampionatin gjerman mund të thuhet se ishte në dispozicion të skuadrave të gjysmës së dytë të tabelës së renditjes, sidoqoftë në përfundim pas triumfit të Paderbornit rrëshqiti në vendin e fundit pikërisht ekipi i Kolnit, që u mund 2-0 në kryeqytet nga Unioni i Berlinit. Pas Laipcigut ekipi i drejtuar nga trajneri zviceran Urs Fischer u konfirmua në këtë mënyrë si ekipi më në formë i Bundesligës, teksa regjistroi fitoren e 4 në kampionat në 5 sfidat e fundit.

Miqtë vuajtën mungesën e dyshes së mbrojtjes Czichos – Hector dhe nga kjo gjë përfituan në maksimum pikërisht futbollistët e ekipit debutues, që shënuan nga një gol për çdo pjesë me anë të golashënuesit të tyre më të mirë, Sebastian Andersson.

Në Stadion An der Alten Forsterei, përpara 22.000 spektatorëve pak pasi kaloi gjysmë ore lojë sulmuesi shtatlartë zhbllokoi rezultatin me kokë në kufijtë e zonës së vogël, pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë 28-vjeçari suedez dyfishoi shifrat duke vulosur rezultatin 2-0, pasi shmangu edhe portierin kundërshtar Timo Horn, fitore që e katapultoi menjëherë klubin kryeqytetas në mesin e klasifikimit.

Top Channel