Armando Cungu shijon frytet e punës së tij te Laçi, që sot mori fitoren e 5-të në 7 ndeshje, rezultate këto që e kanë afruar shumë pranë kreut, ndaj bardhezinjtë kanë filluar të mendojnë seriozisht për diçka më shumë se Kupat e Europës.
Fitorja e pestë në 7 ndeshjet e fundit dhe vijoni të shënoni shumë gola. Vetëm kryeqyteti duket se ju ka prishur ecurinë…
Është një ecuri e mirë, pavarësisht ndeshjes me partizanin, ku morëm një humbje që nuk e prisnim, për të qenë të sinqertë. Kjo është e treta fitore me rezultatin 3-0 në shtëpi dhe mendoj se është një paraqitje e kënaqshme, ndonëse kishte edhe oshilacione në lojë.
Mos e morët me më shumë qetësi dhe falët pjesën e parë?
Ishte e dukshme që në pjesën e parë nuk patëm impenjimin e duhur. Ekipet si Flamurtari janë më të rrezikshmet dhe më të vështirat për t’u mposhtur pasi vijnë pa pretendime dhe luajnë lirshëm. Pata bërë thirrje për këtë, por ndoshta dëshira për të fituar dhe tensioni, ndikuan në atë lojë jo të qartë në pjesën e parë. Në pushim biseduam për të luajtur qetë dhe për të menaxhuar mirë rastet, ndërsa ai gol i shpejtë na ndihmoi edhe më shumë.
Jeni i kënaqur me organikën? Çfarë do t’i duhet kësaj skuadre për të tentuar gjëra të mëdha?
Që kur kam ardhur, skuadra është paraqitur mirë në fushë ne lojës dhe ka marrë edhe rezultate. Drejtuesit e klubit në fakt prej kohësh po mendojnë për të përforcuar ekipin në janar, pasi duhet një organikë më e plotë dhe më e fortë, për të përballuar me sukses kampionatin. Është e vështirë që të gjesh lojtarët e duhur në janar, por kemi ambicie dhe do provojmë të arrijmë diçka këtë sezon.
Në janar mund të keni oferta të rëndësishme për lojtarë si Nwabueze dhe Shehu? Si do i këshilloni drejtuesit dhe a është e lehtë t’i zëvendësosh ata?
Këtë pyetje duhet t’ua bësh drejtuesve, pasi kam vetëm dy muaj këtu dhe nuk i di kontratat e lojtarëve. Në janar nuk ka shumë mundësi për të zëvendësuar lojtarë të tillë me peshë, por vendimet i marrin drejtuesit. Natyrisht që nëse vijnë oferta të rëndësishme, janë të mirëpritura, pasi i bëjnë mirë ehe klubit për të forcuar pozitat financiare.
Top Channel