Interi ndalet pas 5 fitoreve radhazi në kampionat dhe e bën këtë sërish në “San Siro” përballë Romës, ku nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola, ndonëse pati mundësi të shumta shënimi.
Pas 14 ndeshjesh në kampionat dhe 5 të tjerave në Ligën e Kampionëve, zikaltrit për herë të parë mbyllën një ndeshje me shifrën e zero golave të shënuar, ndërsa vlen të theksohet se të tre ndeshjet pa fitore në kampionat, i kanë pikërisht në shtëpi.
Antonio Conte vuante mungesën e mesfushorëve, ndërsa trajneri Fonseca e nisi takimin pa portierin Pau Lopez dhe sulmuesin kryesor të skuadrës, Edin Dzeko, i cili u aktivizua vetëm në minutat e fundit.
Entuziazmi i zikaltërve ishte i lartë dhe në pjesën e parë krijuan një mori rastesh shënimi, por Lautaro, Vecino, Brozoviç e Lukaku shpërdoruan pa fund, ndërsa edhe gardiani verdhekuq Mirante bëri mrekullinë në një moment.
Edhe pjesa e dytë pa Interin protagonist dhe tërë kohës në kërkim të fitores, por Mirante nuk kishte ndërmend të lejonte topin në rrjetë, ndërsa edhe Lautaro e Lukaku dukej sikur kishin prishur shënjestrën, duke shpërdoruar mundësi të arta.
Nga ana tjetër Roma bëri shumë pak për të kërcënuar portierin Handanovic dhe veçanërisht në pjesën e dytë u kujdes më së tepërmi për të ulur ritmin e ndeshjes, sesa për të parë drejt portës kundërshtare.
Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin e bardhë 0-0, që mban Interin sërish në krye me 38 pikë, dy më tepër se Juventus, që mund të rimarrë kryesimin nëse del me 3 pikë nga kryeqyteti përballë Lazios, nesër në mbrëmje.
Top Channel