Qytetarët, të cilët kanë patur pronat e tyre të siguruara dhe që dëmshpërblehen nga kompanitë e sigurimit për dëmet nga tërmeti nuk do të përfitojnë nga fondi shtetëror i rindërtimit.

Autoriteti i mbikëqyrjes financiare do të dorëzojë në qeveri listat e pronave që kanë qenë të siguruara dhe janë zhdëmtuar, me qëllim që autoritetet shtetërore të mos paguajnë dyfish. Deri tani janë verifikuar 12 milionë euro pagesa që do të zhdëmtohen nga kompanitë e sigurimeve, por sipas tyre, shifra totale mund të kalojë mbi 20 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj fature paguhet nga shoqëritë e huaja të risigurimit.

Kompanitë e sigurimit u kanë bërë thirrje qytetarëve, të cilët kanë patur pronat e siguruara që të bëjnë aplikimet për të marrë zhdëmtimin.

Por ndërkohë ato kanë shfrytëzuar këtë rast për të kujtuar se në Shqipëri kultura e sigurimeve është e ulët dhe vetëm një pjesë e vogël e banesave janë të siguruara.

Qeveria ka nisur diskutimet për të hartuar një skemë, e cila do ta bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave.  Por ende nuk dihet se si do të funksionojë kjo skemë, nëse do të jetë publike, private apo një kombinim mes të dyjave.

 

Top Channel