Tërmeti ka shkaktuar një zymtësi tek ne, por psikologë e sociologë thonë se duhet të fillojmë t’i rikthehemi jetës dhe angazhimit të përditshëm e ta lëmë pas panikun social. Tërmeti është i barabartë për të gjithë. Para tij si i pasuri dhe i varfri janë njësoj.

“Shikoje pak bredhin që po zbukurohet këtu pranë nesh. Këto janë shenjë pozitive që shoqëria po merr veten pas një traume të madhe. 26 nëntori la gjurmë të hidhura dhe shumë tragjike. Por ishte një mësim i madh për shoqërinë tonë, që këtej e tutje duhet të mendoje pak më shumë për veten e familjen”, shprehet sociologu Gëzim Tushi.

Këto kohë po funksionon me mirë familja, pasi është një strukturë shumë e rëndësishme për të shëruar sëmundjen, patologjinë e panikut e ankthit e dëshpërimit. Po si t’i rikthehemi jetës?

“Të largohemi nga pak nga ajo që ndodhi. T’i këputim ganxhat që na mbajnë të lidhur më ato përjetime. Kjo nuk bëhet mekanikisht, pasi shumë humbën të dashurit e tyre, pjesa tjetër shtëpitë e pasuritë. Megjithatë t’i kthejmë sytë nga e ardhmja. Të mendojmë për familjen, shkollën strehimin, vazhdimësinë e jetës”, ka thënë sociologu.

Por jo të gjithë e kapërcejnë menjëherë situatën. Varet nga gjendja emocionale e secilit prej nesh, temperamenti, sa është i aftë të administrojë veten, sa është i ndikuar nga të tjerët, sa e dallon të vërtetën nga e gënjeshtra.

“Vëllezërit dhe motrat duhet të kuptojnë që për të rregulluar situatën, duhet të bëjmë atë që duhet dhe jo atë që duam. Njeriu duhet të vendosë prioritete, kë duhet të zgjidhë të parën.Dikush ka strehimin, dikush shkollën dhe çerdhen. Të ndërtojmë projekte personale familjare, që nuk varen, as nga politika, as nga politika, as nga media, por nga familja”, shprehet ai.

Kjo periudhë tregoi, se kemi nevojë jo vetëm për solidaritet familjar po edhe komunitar. Pikërisht këtë bashkim ne duhet ta mbajmë, pasi është një kapital i domosdoshëm për shoqërinë.

“Lidhjet jashtë gjakut, jashtë farefisit janë dobësuar, prandaj kemi humbur shumë nga humanizmi dhe solidariteti, këto instrumente të domosdoshme. T’i rikthehemi”, thotë ai.

Alkooli, droga dhe ilaçet nuk janë zgjidhja e problemit.

“Ditët kaluan dhe njerëzit duhet të largohen nga farmacitë, alkooli dhe mjete që mendojnë, se do t’u rikthejnë qetësinë. I vetmi ilaç i mirë është sundimi i vetes, shëtitjet në natyrë, sporti, muzika, filmat optimiste dhe bisedat me njerëzit tanë dhe miqtë tanë”, ka thënë sociologu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA