Samiti i NATO-s në Londër/ Rama: Europa e tregoi që është me ne, fola edhe me Trump

04/12/2019 19:36

Liderët e vendeve anëtarë të NATO-s u përpoqën të tregonin në Londër një front të bashkuar mes mosmarrëveshjeve të hidhura mbi terrorizmin, Turqinë dhe rritjen e ndarjes së barrës së kontributeve me Shtetet e Bashkuara.

29 udhëheqësit, përfshirë Presidentin Donald Trump, pozuan për një fotografi tradicionale “familjare” përpara se të largoheshin për takimin e planifikuar prej tre orësh. Por për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ky samit, në këto momente te vështira për Shqipërinë përfaqësonte diçka tjetër: mundësinë për të tërhequr vëmendjen tek situata dramatike të krijuar pas tërmetit. Ai ka biseduar me disa prej udhëheqësve të rëndësishme botërore si presidentin amerikan Donald Trump, atë francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.

“U ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin në dijeni dhe të interesuar të dinin më shumë. Kemi diskutuam, kam bërë bisedë të gjatë me presidentin e Francës, Kancelaren, kryeministrin e Holandës, kryeministri i Danimarkës ka qenë shumë i interesuar, kryeministri Conte pa diskutim, por edhe kryeministri i Kanadasë. Kemi folur dhe me presidentin Trump dhe Erdogan. Qëllimi është për të zhvilluar një konferencë të madhe donatorësh, kjo më është kërkuar.Fokusi ka qenë për këtë temë, por ka pas edhe mbi ecurinë e integrimit në BE, si mund të shkojë procesi mbi dokumentin e paraqitur nga Franca. Por, unë kam qenë shumë i fokusuar te tërmeti, pasi kjo është më e rëndësishme sot. Është një moment për të kuptuar qartë të gjithë se përtej dallimeve e kundërshtive, Europa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve”, shprehet Rama.

Rama shpërndau më herët në rrjetet sociale edhe foton familjare të samitit duke shkruar poshtë saj, “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, një mesazh ky drejtuar banorëve të prekur nga tërmeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA