Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës ku shprehu mirënjohje për solidaritetin dhe ndihmën e treguar nga ana e Kosovës, gjatë momenteve të vështira të Shqipërisë, ku vendi i u godit nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Ai i vlerësoi Forcat e Sigurisë së Kosovës si “shpëtimtarë”.
“Në këtë betejë të vërtetë, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria s’mbeti e vetme. Kosova ishte e para që u ndodh aty, në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e çdo shqiptari. Ekipet tuaja ishin aty vëllazërisht për të shpëtuar jetë. Do ju jemi gjithmonë mirënjohës forcave të Kosovës, ekipeve të kërkim-shpëtimit, të shëndetësisë, të vlerësimit, njësisë zjarrfikëse, që treguan solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri. Kosova duhet të jetë krenare për forcat e sigurisë së saj, por edhe të policisë. Çdo vend i NATO-s është krenarë me ta”, tha Meta.
Më tej shtoi:
“Kush shpëton jetë, shpëton një botë të tërë”, ka thënë Nënë Tereza. Ju shpëtuat shumë jetë dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Kosova dha dhe kontribut financiar, duke nxitur mbështetjen e jashtëzakonshme. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e palëkundur edhe në momente dramatike. Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre. Tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, dhe madje i rrëzoi shumë keq disa prej tyre, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
Top Channel