Në maternitetin e Durrësit, dy nëna kanë sjellë në jetë vajzat e tyre. Gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyci ndodhet pranë tyre për ti pyetur se si përjetuan natën e tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit, që do të mbetet mend gjatë në kujtesën e të gjithë shqiptarëve.
Alketa është njëra prej nënave të reja që ka sjellë në jetë një vajzë, Amantian.
“E kam kaluar shumë keq këtë eksperiencë, jemi trembur kaq shumë. Kam disa ditë që kam ardhur nga Saranda. Kam babin që kam të vjetër dhe kur ra tërmeti kapa babin nga krahët. Banesa u dëmtua shumë. Në spital erdha sot, isha te motra në Librazhd”, shprehet Alketa.
Ka qenë një eksperiencë aspak e mirë për të gjithë nënat që sollën në jetë fëmijët e tyre në këto ditë të këqija për Shqipërinë.
Një tjetër nënë e re, ka sjellë në jetë një vajzë dhe tregon momentet e ankthit dhe tmerrit që përjetoi natën e 26 nëntorit.
“Normalisht ishte një tërmet shumë i fuqishëm si të gjithë e kanë ndjerë. Patjetër që u trembëm dhe do të mbetet gjatë në kujtesën tonë, por shpëtuam mirë. Kur ra tërmeti i orës 4 ishim duke fjetur së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat e mia, qëndruam dhe menduam se do të ishte një tërmet i shkurtër. Por zgjati disa sekonda dhe të tromaksur dolëm me vrap për të dalë sa më parë nga shtëpia. Në ato momente u ngrita siç isha dhe mendoja vetëm që të shpëtoj jetën e vajzave. Frika ishte e papërshkrueshme. Nuk kam pasur problem por kemi qenë të trembur”, ka thënë ajo.
Top Channel