Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen premtoi një ndihmë prej 15 milionë eurosh për Shqipërinë e goditur nga tërmeti më I fuqishëm prej dekadash të tëra.
Solidarizimi me vendin tonë në këtë moment të vështirë vazhdon, dhe tashmë po materializohet edhe me ndihma konkrete financiare, përveç asaj që mbërriti më parë në formën e ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit dhe më tej, të ekspertëve që janë në terren duke verifikuar dëmet strukturore.
“BE-ja është në solidarizim të plotë me Shqipërinë me veprime, jo thjesht me fjalë. Ne jemi duke e dhënë tashmë mbështetjen tonë në terren, jemi të angazhuar të ofrojmë edhe më shumë. Deri tani, Komisioni ka ndihmuar në mobilizimin e tre ekipeve të kërkimit me një staf prej prej më shumë se 200 personash nga Italia, Greqia, dhe Rumania… Komisioneri Lenarcic do të udhëtojë drejt Shqipërisë ku do të shohë nga afër gjendjen dhe të krijojë një tablo me të qartë e te plote të gjendjes se ndërtesave te prekura, si dhe të bëjë një vlerësim paraprak të llojit të ndihmës që nevojitet për rindërtimin..Hapi I parë ndërkohë është të alokojmë menjëherë 15 milionë euro në mbështetje të popullit shqiptar”, shprehet Presidentja e KE.
Von der Leyen nuk u mjaftua me kaq, por përmes një mesazhi në Twitter tregoi se do të ndërmerret edhe një nismë tjetër e rëndësishme në favor të mbledhjes së ndihmave për vendin tonë, të cilin fatkeqësia natyrore e një jave më parë e gjeti të papërgatitur.
“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama dhe e njoftova për ndihmën e KE-së prej 15 milion eurosh, si mbështetje e menjëhershme për popullin shqiptar. Për më tepër, Bashkimi Europian do të organizojë dhe një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e rindërtimit”, ka shkruar kryetarja e Komisionit Europian.
Top Channel