Samiti i NATO-s në Londër/ Rama do të kërkojë ndihmë për tërmetin nga vendet anëtare

03/12/2019 19:32

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u nis drejt Londrës ku si pjesë e delegacionit shqiptar, do të ndjekë punimet e samitit të rëndësishëm të NATO-s që zhvillohet në kryeqytetin britanik në datat 3 dhe 4 dhjetor.

Ky udhëtim i ministres vjen në një kohë mjaft të vështirë për Shqipërinë, megjithatë institucioni që ajo drejton sqaroi se me të përfunduar samiti, Xhacka do të kthehet menjëherë në tiranë, ndërkohë që po ruan një komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për menaxhimin e situatës.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, solidarizimi me Shqipërinë ka qenë i jashtëzakonshëm. Bashkimi Europian reagoi menjëherë përmes Federica Mogherinit, zëvendëspresidente e bllokut dhe e ngarkuara në largim për Politikën e Jashtme si edhe komisionerit të BE, Christos Stylianides . Mekanizmi Europian për Mbrojtjen e Civilëve dhe Qendra Koordinuese për Rastet e Emergjencave të BE ( ERCC) ofroi ndihmë që në fillim, e mes shumë reagimeve të tjera ishte dhe ai i kancelares Angela Merkel që vuri në përdorim mekanizmin e ndihmës së emergjencës.

Pritet që situata e Shqipërisë të marrë vëmendje edhe në samitin e Londrës, i cili ende pa nisur mirë, e shënoi një përplasje: atë mes presidentit amerikan Donald Trump, dhe homologut të tij francez, Emmanuel Macron, të cilin shefi i Shtëpisë së Bardhë e akuzoi se ka fyer NATO-n me deklaratat e bëra një muaj më parë, kur tha se aleancës ushtarake “I ka vdekur truri“. Sa për çështjen që shqetëson më shumë Trumpin, atë të kontributeve, në deklaratën e ministrisë së mbrojtjes theksohet se vendi ynë ka një përqindje më të lartë të buxhetit krahasuar me shtetet më të zhvilluara e me kontribut më të gjatë në Aleancë, e kjo thuhet aty, mund të shihet edhe në listën e publikuar në faqen zyrtare të aleancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA