Kryebashkiaku u shërbeu drekën familjeve të prekura nga tërmeti në qendrën sociale në Kombinat

03/12/2019 17:05

Veliaj: “Familjet me banesa të pabanueshme të aplikojnë për qira 1 vjeçare; kemi caktuar 2 mijë kuota”

Dhjetëra familje që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit në kryeqytet janë strehuar në qendrave sociale të Bashkisë së Tiranës, ku veç ushqimit të ngrohtë, u shërbehet edhe për çdo nevojë tjetër, kurse për fëmijët organizohen lojëra e aktivitete të ndryshme, që i ndihmojnë në kalimin sa më lehtë të situatës. Drekën e sotme kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e kaloi me familjet e strehuara në qendrën sociale “Qëndrojmë së bashku” në Kombinat, ku shërbeu ushqim dhe kaloi disa çaste me fëmijët.

Veliaj tha se këto çaste është e rëndësishme që çdokush të kuptojë se më e keqja kaloi dhe se qyteti po i kthehet normalitetit. “Kjo është një nga shumë qendrat sociale në Tiranë. Tani që kanë kaluar 7 ditë nga tërmeti, që ishte një nga fatkeqësitë më të mëdha që i kanë ndodhur vendit, mesazhi që duam të japim është se jeta vazhdon. Secili prej nesh mund të ketë pasur vuajtje në familje, mund të ketë pasur humbje, por ama gjithmonë kuptojmë se jeta vazhdon. Kur shohim fëmijë të vegjël si Sibeli, por edhe gjyshe si Limaja, e kuptojmë se filli i jetës nuk duhet ndërprerë kurrë”, tha ai.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët, banesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme, të përfitojnë nga mundësia që ofron Bashkia e Tiranës për të aplikuar sa më parë për qira 1 vjeçare, derisa të zgjidhet përfundimisht çështja e strehimit të tyre. “Duke qenë bashkë dhe duke mbaruar të gjitha detyrimet e para të emergjencave, do të kemi kohë që të përkushtohemi tek rindërtimi. Kemi çuar formularët për bonusin e qirasë në njësitë administrative, edhe tek Njësia 6. Pasi të mbarojmë drekën, secili do të shkojë ta firmosë; pra, kujt i është shpallur shtëpia e pabanueshme, duhet të plotësojë formularin, dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të kësaj jave, jemi të përgatitur të paguajmë deri në 2 mijë familje. Kemi më pak, por deri në 2 mijë kemi marrë masat në buxhet, që t’i paguajmë një qira, me çmimin e tregut, pa asnjë diferencim”, tha Veliaj.

Duke konfirmuar se qendrat sociale do të qëndrojnë hapur edhe në ditët në vijim, ai nënvizoi se trajtimi me bonus qiraje për këto familje do t’i japë kohë bashkisë për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare. “Qendrat sociale do të jenë hapur; pra, nëse keni nevojë për një vakt, për batanije, prapë do jenë hapur, por ama jetesa në qendrat sociale është me masë. Se po ndenjëm tërë kohën sikur jemi në krizë, atëherë nuk do na dalë psikoza e krizës gjithë jetën. Kurse kur kuptojmë se kriza vazhdon një javë dhe javën tjetër fillojmë sistemimin në apartamente me qiratë e e paguara nga bashkia, na jep kohë 6 muaj, një vit, një vit e gjysmë, deri sa të bëjmë gati një zgjidhje përfundimtare, dhe kjo është mënyra më e mirë”, shtoi Veliaj.

Ai siguroi se edhe kësaj here Tirana do të dijë të ringrihet falë solidaritetit që kanë treguar qytetarët e saj, si dhe angazhimit të të gjitha strukturave bashkiake dhe ato qeveritare. “Jam i bindur se po ndenjëm bashkë, siç kemi qenë këto 7 ditë, nuk ka asnjë tërmet që na vë poshtë. Jam i bindur se Tiranën do ta ngremë edhe më të fortë, më solidare. Jo vetëm më të fortë në ndërtesa të reja, që do të zëvendësojnë karakatinat e vjetra që i prishi tërmeti, por edhe më të fortë si karakter dhe si shpirt të Tiranës”, tha Veliaj.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel