Rreth 2.000 persona nga Shqipëria janë të strehuar në qytetin e Prizrenit, 500 në kampin inovativ të Prizrenit dhe 1500 të tjerë në shtëpitë private, hotele apo edhe shkolla. Ndërsa Kosova vazhdon të solidarizohet me të prekurit tërmetit në Shqipëri, këta të fundit, rrëfejnë tmerrin e përjetuar.

Prej tre ditësh, Myrvet Veshi, bashkë me familjen, qëndron në Prizren.

“Shumë keq, tërmeti i parë sidomos ka qenë shumë dramatike. Ne jetojmë në katin e dytë, me pak fjalë e kemi parë vdekjen me sy…Ngase nuk kishim përjetuar ndonjëherë ngjarje të tillë, nuk tentonim të dilnim jashtë, vetëm prisnim, duke iu lutur Zotit që të përfundojë, nuk kishim mundësi të dalësh. Ishim në gjumë dhe na zgjuan britmat. Edhe ishte ora 4 e mëngjesit, dhe iu luteshim Zotit që të përfundonte dhe te shpëtojmë të gjallë, nuk kemi bërë asnjë manovrim”, shprehet Veshi.

Për katër ditë radhazi ai, bashkë me familjen kish qëndruar në makinë. E për tu qetësuar, kishin vendosur të niseshin drejt Kosovës. Fillimisht, ishte ndalur tek parku i inovacionit, por pasi nuk kish gjetur vend atje, ishte strehuar tek një familje në Prizren.

“Kemi ardhur parmbrëmë me makinën time. Erdhëm këtu, ishte i mbushur, ishin 40 familje, ishte e pamundur të qëndrojmë dhe policia na largoi në një sallë të madhe. Nga andej erdhi dhe na zgjodhi një familje, jemi vendosur pak më larg kampit, në një apartament”.

Veshi thotë se shtëpia e tyre në Durrës, ka pësuar dëmtime, por shumë shpejt ai do të kthehet që të riparojnë dëmet dhe që fëmijët të kthehen në shkollë. Ndërkohë që në këto ditë të vështira, ai thotë se i është ngrohur zemra nga pritja që kosovarët i kanë ofruar.

“Unë dua të falënderoj çdo qytetar të Kosovës për sjelljen, dashamirësinë, për pritjen që hapen dyert. Nuk e di si do t’ua shpërblejmë këtë mirësi. Ngelëm shumë të habitur për pritjen e bërë”, tha Veshi.

Top Channel