Mbledhja e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit është shoqëruar me replika mes kryeministrit të vendit, Edi Rama dhe gazetarit të Top Channel-it, Marin Mema.
Rama u shpreh se media në përgjithësi ka bërë hata te qytetarët me raportimet e saj dhe kjo është skandaloze .
“Mediat po bëjnë një hata. Po e fusin goditjen e njerëzve në një rrugë pa krye. Thonë sikur të gjitha godinat po bien dhe vazhdojnë. Shkalla e rrezikut është e kontrollueshme. Pjesa dërrmuese në Tiranë dhe Durrës janë ok. Janë të sigurta, por tek ai 1% duhet të shohim”, tha Rama.
Nga ana tjetër Marin Mema tha:
“Media nuk është macja e zezë e kësaj historie. Po e kërkojmë fajin te media. Media nuk është skandaloze, apo të etiketohet me përkufizime të tjera që më duken absurde, si çdo sektor tjetër ka problem, por nuk do të thotë që ta anatemojmë. Nuk është për të sjellë zërin e qeverisë, por zërin e qytetarëve.”
Rama replikoi:
“Pak më tolerant me mendime e të tjerëve. Media është skandaloze dhe nuk ka diskutim. Këtu bëhet fjalë për një popull të tmerruar dhe ka një mijë mënyra dhe kënde për ta vënë kamerën dhe nëse ke sensibilitetin e momentin, është që njerëzit duhet të fillojnë të marrin frymë. Mos u shqetëso për kategorinë se kategoria jote do të mbijetojë pavarësisht se çfarë them unë, por është skandaloze e përsëris. Sigurisht nuk janë të gjithë njësoj. Në këtë fazë në këto ditë, media është skandaloze, kriminale sepse këtu bëhet fjalë për ekuilibra psikologjikë të njerëzve. Kanë ikur njerëz me mijëra nga Tirane Durrësi, pse kanë ikur? Me ato gënjeshtra e sharlatanizma që më shohin sytë, unë e kam mbyll punën me ekranet, por marr raportet, dhe njerëzit thonë unë po iki se ka ardhur fundi i botës. Po nuk është e vërtetë që godinat janë të gjitha duke rënë. U bë nami për spitalin, kjo është kriminale. Po bie spitali i Durrësit, ai kishte vetëm një krisje”
Top Channel