Durrësi është një nga qytetet më të prekura nga tërmeti i fuqishëm që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, ku si pasojë humbën jetën 50 persona dhe janë plagosur qindra të tjerë.

Gazetarët e Top Channel kanë raportuar live minutë pas minute të gjithë dinamikën e ngjarjeve të ditës së fundit dhe ka prekur nga afër rrënojat dhe shqetësimet e banorëve.

Në transmetimin live të “Edicionit Maraton”, gazetarja Vali Qyrfyci ndodhej së bashku me një grup banorësh në afërsi të stacionit të trenit në Durrës. Banorët shprehen njëzëri se janë shumë të shqetësuar dhe se deri më tani në drejtim të tyre nuk ka ardhur asnjë ndihmë, duke shtuar se ndodhen në situatë të vështirë financiare dhe psikologjike.

“Jemi në një situatë të vështirë, shtëpitë i kemi të dëmtuara. Mund të duken nga jashtë si mjaft të bukura por ti shikosh në brendësi të tyre janë totalisht të rrënuara. Kemi dëgjuar kryeministrin që grupet e punës do ë jenë në terren për të vlerësuar dëmet, por deri më tani ne nuk na është ofruar asnjë ndihmë. Solidarizohemi me viktimat dhe na vjen shumë keq për ta, por për ne viktimat të prekur nga ana psikologjike kush mendon”, e përfunduan fjalën e tyre banorët.

Top Channel