Shumë shkolla u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, megjithatë nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk jepet një date, se kur do të rinisë mësimi ne vend. Në mbledhjen e radhës së qeverisë u theksua, se 8 shkolla janë dëmtuar rëndë, e një prej tyre është gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet. Tavani i korridorit në katin e tretë është shembur.

Godina në të vërtetë, nuk u dëmtua nga tërmeti i madh. Madje në shenjë solidarizimi, fill pas lëkundjes së fuqishme, nxënësit e “Sami Frashërit” organizuan një fushatë solidarizimi me të prekurit, dhe gjithë ndihmat u dërguan në qytetin e Laçit.

Fill pas kësaj fushatë u shemb tavani. Aktualisht po punohet intensivisht nga ndërmarrje të Bashkisë së Tiranës për riparimin e tij. Një vendim, nëse godina është e sigurt, për nxënësit dhe mësuesit, pritet të merret në orët në vazhdim.

Edhe shkolla 9-vjeçare “Hasan Prishtina” në Tiranë është një nga të dëmtuarat. Por nga ana e bashkisë së kryeqytetit, konfirmohet që kanë rënë suvatë, ndërsa struktura nuk është dëmtuar.
Ministria e Arsimit, sapo na konfirmoi që ky dikaster, po merret me situatën e emergjencës së akomodimit të 16 mijë nxënësve, që nuk dihet, se ku do të zhvillojnë mësim.

Top Channel