Ky është Sali Gaza, banor i Thumanës. Qëndron përpara pallatit Nr.42, ku ka jetuar për më shumë se 30 vite por banesa e tij në katin e parë nuk do të jetë më.

Pas verifikimeve është vendosur të shembet si një pallat tërësisht i pabanueshëm. Saliu tregon se pasiguria e këtij pallati nuk ndodhi sa hap e mbyll sytë pas tërmetit të 26 Nëntorit.

“I vizituan, shumë bukur, erdhën tre herë. A ka mundësi të dalim jashtë apo të futemi brenda, se ne nuk kemi ku të rrimë. Nuk u themi as rrini jashtë as futuni Brenda. Erdhën i vizituan plasaritjet bashkia, asnjë fjalë, as dilni as rrini”, shprehet Sali Gaza.

Megjithëse ky pallat është nën një perimetër sigurie, Saliu për pak momente ka marrë leje të hyjë brenda.

“Kam marrë një guxim të tepruar, hodha firmën dhe u futa mora lekët për 5 minuta dhe dola jashtë”, ka thënë Gaza.

Tashmë që ky pallat ka nisur të shembet Sali Gaza shpreson që shumë shpejt të ketë një banesë të re.

“Unë jam në hotelin e Shëngjinit me autorizim, tjerët janë nëpër çadra. Shteti me përkrahjen e botës dhe Europës kam besim se do ta rregullojnë”, shton ai.

Krahas dy pallateve të shkatërruar nga tërmeti, në Thumanë deri më tani pas vlerësimit të inxhinierëve të IKMT janë shembur edhe 2 pallate të tjerë pesë-katësh.

Top Channel