Tërmeti në Shqipëri/ Mbështetje dhe solidaritet nga bota

29/11/2019 06:02

107 vjetori i pavarësisë, e gjeti Shqipërinë nën ankthin e tërmeteve. Dhe në një situatë të tillë, urimet dhe përshëndetjet e zakonshme, janë zëvendësuar nga mesazhet mbështetëse dhe ngushëllimet për viktimat e kësaj fatkeqësie natyrore, si edhe nga angazhimet për ndihmë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, me anë të një postimi në Twitter, ka shprehur solidaritetin me Shqipërinë. “Në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, mendimet tona janë me popullin shqiptar dhe në veçanti me të prekurit nga tragjedia dhe familjarët e tyre.

Më shumë se kurrë, Bashkimi Evropian qëndron i bashkuar me popullin shqiptar”, shkruan mesazhi i BE-së. Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Junker i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, ku shpreh ngushëllimet për viktimat e tërmetit dhe konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë në këto çaste të vështira për vendin.

“Me pikëllim të madh mësova për shkatërrimin që shkaktoi tërmeti në Shqipëri, i dyti në dy muajt e fundit. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për viktimat, familjet e tyre dhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Bashkimi Evropian solidarizohet me Shqipërinë në këto çaste tragjike dhe ju mund të mbështeteni në ndihmën tonë”, shkruan Junker. Edhe NATO ka reaguar duke thënë se “zemrat dhe mendjet tona janë të rënduara dhe solidarizohemi me aletin tonë në këto kohë të vështira”.

Ndërsa ambasada e shteteve të bashkuara në Tiranë, në ditën e pavarësisë, shpreh keqardhjen për shkatërrimin dhe jetët e humbura. Ajo premton se SHBA do të qëndrojë me vendosmëri në krah të vendit mik dhe aleat, Shqipërisë, dhe do të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme humanitare atje ku ka nevojë.

Në faqen e Departamentit Amerikan të shtetit, po ashtu, lexohet mesazhi i Majk Pompeos, që thekson se ndërsa Shqipëria shënon ditën e saj të pavarësisë, në emër të popullit amerikan, ai ofron ngushëllimet për jetët e humbura si pasojë e tërmetit.

Sot, ne lutemi për familjet e viktimave dhe të lënduarve dhe urojmë rimëkëmbje të shpejtë. Tani, si në çdo situatë tjetër të vështirë, SHBA është përkrah miqve tanë në Shqipëri.

Top Channel