Njësitë e Policisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri, përkrah kolegëve të tyre shqiptarë.

Me kërkesë të policisë së Kosovës, numri i tyre është reduktuar por policia e Kosovës, që nga e marta, u vu në ndihmë të asaj shqiptare dhe forcave të tjera të kërkim-shpëtimit, në Durrës dhe Thumanë.

Kapiten Besart Ahmeti, tha se aktualisht, janë rreth 60 policë kosovare në territor shqiptar, shifër kjo e kërkuar nga policia shqiptare.

“Kemi lëvizura me personel prej ditës ne ditë, kryesisht kemi qenë përmbi 100 në secilin ndërrim, por sot e kemi reduktuar pak numrin në 60, kjo ka qenë me kërkesën e Policisë së Shqipërisë”.

Ai thotë se kanë asistuar që nga dita e parë, në varësi të kërkesave të Policisë së Shqipërisë, ndërkohë që ata mbeten në gjendje të lartë gatishmërie.

“Detyra jonë ka qenë asistimi i Policisë së Shqipërisë dhe forcave tjera, që kanë qenë në kërkim-shpëtim. Ne kemi asistuar ku ka qenë e nevojshme, varësisht prej kërkesave që Policia e shtetit të Shqipërisë i ka parashtruar për asistencë”.

Që nga dita e parë e tragjedisë, policia e Kosovës ka asistuar në pika të ndryshme duke ndihmuar madje edhe në nxjerrjen e të bllokuarve nën rrënoja.

Top Channel