Edhe pse sonte programi Hell’s Kitchen nuk do të jetë në transmetim në Top Channel për shkak të situatës së krijuar prej tre ditësh pas tërmetit që ka përfshirë vendin, konkurrentët me në krye shef Renato Mekollin dhe stafin nuk kanë kursyer kontributin e tyre për familjet në nevojë.

Kuzhina e Hells Kitchen sot ka qenë aktive më shumë se çdo herë tjetër, sepse ka pasur një mision madhor, përgatitjen e ushqimeve të ngrohta dhe me shumë dashuri për familjet e dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Që në orët e para të mëngjesit të gjithë konkurrentët janë bashkuar në studion e Hells Kitchen duke përgatitur ushqime për familjet e Bubqit, të cilat në këto momente kanë më shumë se kurdo nevojë për mbështetje. Për të gjithë konkurrentët procesi i gatimit ka qenë plot emocione, ndaj edhe janë dedikuar shpirtërisht 100-fish duke dhënë maksimumin.

Pasi kanë përgatitur ushqimet, ato janë paketuar dhe më pas janë dërguar drejt Bubqit, ku do t’i ofrohen familjeve të dëmtuara që për shkak të tërmetit ndodhen jashtë shtëpive të tyre. Ky gjest i konkurrentëve dhe gjithë produksionit të Hells Kitchen ka qenë njëkohësisht edhe një mbështetje morale dhe më shumë dashuri ndaj të gjithë personave që në këto momente kanë nevojë për ngrohtësi.

Top Channel