Haradinaj në kampin e Prizrenit/ Ka 180 të prekur nga tërmeti në Shqipëri, por kapaciteti është për 500

29/11/2019 16:01

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, vizitoi parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, i cili u hap për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, që kanë humbur shtëpitë dhe nuk kanë ku të strehohet.

Haradinaj, që shoqërohej në këtë vizitë nga kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se është krijuar edhe një trupë koordinuese e nivelit qendror të qeverisë, të ministrisë së brendshme dhe agjencive të specializuara për temat e të zhvendosurve, për pritjen dhe integrimin e të ardhurve.

….Kampi është hap për me i vendos viktimat, për ata që janë viktima të tërmetit, nëse ka të zhvendosur tjerë, ne mund të bëjmë zgjidhje tjera, të provojmë zgjidhje tjera, por këtu në kam i mirëpresim vetëm ata që kanë humbur shtëpinë, që kanë humbur strehimin”

Në këtë kamp, aktualisht janë vendosur 180 persona ndërkohë që kapaciteti është rreth 500. Komuna e Prizrenit aktualisht siguron gjithë shërbimet, përfshirë ushqimin ndërkohë që Haradinaj tha se nëse ajo nuk do të mundet ta përballojë situatën, mund të mbështetet tek qeveria. Vetë kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se për momentin, primare ka qenë mjekësia.

“Deri më tani kemi pasur mjekësinë primare, me drejtorin e Shëndetësisë janë dhënë shërbime mjekësore, ushqimi është siguruar. Në ditët në vijim, duhet t’iu ofrojmë shërbime tjera, si shërbimet sociale”.

Sipas tij, janë edhe rreth 150 persona të tjerë nga Shqipëria që janë strehuar në shtëpitë e familjeve prizerenase. Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Kristian Heldt, tha se janë të gatshëm të sigurojnë çdo ndihmë që nevojitet për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Top Channel