Më 28 Nëntor bëhen 107 vjet që kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Deri në arritjen e kësaj dite u bënë përpjekje gati 500 vjeçare që nga koha e Skënderbeut, kryengritjeve dhe lidhjeve të shumta të shqiptarëve për çlirim nga pushtuesi osman.

Përkundër synimit për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe shpalljen e pavarësinë në këto territore, një gjë e tillë nuk u arrit, pasi ato u copëtuan në konferencën e ambasadorëve në Londër, nga Rusia dhe Franca me disa shtete të Ballkanit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, hapja e shkollës së parë shqipe në Elbasan më 1887, Lidhja e Pejës më 1899, dhe Kongresi i Manastirit më 1908, i kanë paraprirë shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, në Vlorë. Krahas tyre edhe iniciativat e atëhershme diplomatike të rilindasëve tanë që angazhoheshin për çlirim nga osmanët, por edhe lufta ndaj popujve fqinje sllave të cilët kishin dhe vazhdojnë të kenë ‘apetite’ për trojet shqiptare.

Mbi këto përpjekje shumëvjeçare të shqiptarëve për pavarësi dhe shumë çështje tjera japin detaje anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, historiani Frashër Demaj, anëtari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Beqir Meta dhe profesoresha e historisë, Ledia Dushku. Historiani Demaj thotë se përpjekja e parë dhe serioze për formimin e shtetit shqiptar ishte Lidhja e Shqiptare e Prizrenit, e cila sipas tij, bashkoi territoret shqiptare dhe se qysh në atë kohë diheshin në çfarë territore shtriheshin shqiptarët. Ai thotë se synimi fillimisht ka qenë autonomia brenda Perandorisë Osmane, e më pas pavarësia.

“Përpjekja e parë për formimin e shtetit shqiptarë fillon që nga periudha e Lidhjes së Prizreni. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekja më serioze për vënien e një fundamenti të rëndësishëm për krijimin e në shteti kombëtarë shqiptar. Pavarësisht se ajo zgjati vetëm tri vite. Nga viti 1878 deri në 1881, por megjithatë edhe shqiptarët u afruan drejt Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u dërgua një sinjal i qartë diplomacisë së fuqive të mëdha, por edhe Perandorisë Osmane se shqiptarët do të ndjekin shembullin e popujve tjerë të Ballkanit dhe do të krijojnë shtetin e tyre”, tha ai.

Demaj thotë se qëllimi kryesor ka qenë bashkimi i katër vilajeteve shqiptare në një të vetëm.

“Nga organizimi politik dhe ushtarak, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kaloi në një formë tjetër, trajtë tjetër, të organizimit gjithë shqiptarë. Këtu dua të vë në spikamë hapjen e shkollës shqipe. Hapja e shkollës shqipe ishte një sinjal i qartë që mobilizoi rreth vetës elitën intelektuale të Kosovës. Pas hapjes së shkollës së parë, u organizuan edhe aktivitete të tjera. Ishte Lidhja Shqiptare e Pejës që ishte vazhdimësi e Lidhjes së Prizrenit. Pas shuarjes së Lidhjes së Pejës, kemi aktivitete kulturore nga viti 1908, ku u mblodhën elita intelektuale shqiptare dhe vendosen në Kongresin e Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe. Një vit më vonë, në vitin 1909, u vendos që të hapet shkolla normale e Elbasanit nga të cila do të dilnin mësues që do të përhapnin gjuhën shqipe, që do të shkruanin dhe do të përgatisnin gjenerata të tëra për perspektivën kombëtare. Që të gjithë së bashku e quanin lirinë e pavarësinë e shtetit shqiptarë. Duhet pasur parasysh gjithmonë se përpjekjet e shqiptarëve kanë qenë për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm. Që nënkupton përfshirjen e gjithë gjeografisë shqiptare në një shtet të vetëm, pastaj të pavarur”, thotë Demaj.

E mbi shtrirjen e territorit shqiptarë në atë kohë dhe numrin e popullsisë, paraqet anëtari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, njëherësh drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta. Ai thotë se territori i katër vilajeteve shqiptare, ai i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, qysh prej Lidhjes së Prizrenit ka qenë rreth 56000-58000 kilometra katror. Me një popullsi prej 2.2 milionë banorë deri në 2.5 sosh.

“Ishin katër vilajetet e njohura shqiptare, ishte vilajeti i Kosovës me qendër në Shkup, vilajeti i Shkodrës, vilajeti i Manastirit dhe i Janinës. Në këtë përmblidheshin gjithë territoret shqiptare. Sigurisht ka qenë një territor i madh shqiptar, është aty diku te 56-58 mijë kilometra katrore. Pra, shumë më i madh se Shqipëria e sotme dhe Shqipëria bashkë me Kosovën sot. Kishte një popullsi mendohet nga 2.2 deri në 2.5 milionë banorë që ishin shqiptarë në atë kohë. Kishte qytete të mëdha, qendra tregtare që kishin një lidhje organike mes atyre qendrave dhe territoreve urbane dhe fshatare për rreth. Një lloj ekonomie funksionale. Objektivat kanë qenë krijimin e një shteti kombëtarë në këtë territor. Madje mendimtar si Samiu dhe tjerë kanë parashikuar liri të gjëra për minoritete që banonin brenda atij territori mund të quhet shumë të avancuara për kohën”, thotë ai.

Objektivi për bashkim të këtyre vilajeteve sipas profesor, Metës ka vazhduar edhe në shpalljen e pavarësisë në 1912. Teksa thotë se pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha territoret shqiptare. Historiani Meta thotë se në shpalljen e pavarësisë këto territore i kanë njohur si të banuara me shqiptarë edhe fuqitë e mëdha evropiane, por formalisht nuk i kanë pranuar. Këtë e siguron siç thotë, korrespodenca diplomatike Austro-Hungareze, Italiane, Britanike dhe në disa dokumente burimet Franceze.

“Lufta Ballkanike e bëri të domosdoshme shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, kështu kjo ishte iniciativa e mençur dhe e zgjuar e Ismail Qemaili dhe patriotëve tjerë shqiptarë të cilët tashmë kërkuan shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha territoret shqiptare dhe për të gjithë popullsinë shqiptare… Qeveria e Vlorës ka bërë gjitha përpjekjet edhe në konferencën e ambasadorëve për të bërë të qartë edhe kërkuar territoret kombëtare në mënyrë krejtësisht të arsyeshme. Pra, atje ku shqiptarët ishin shumicë dërrmuese në këto territore. Këto territore janë njohur si territore shqiptare. Pa diskutim, po të shikojmë gjithë korrespodencën diplomatike të fuqive diplomatike, qoftë atë Austro-Hungareze, Italiane, Britanike në disa dokumente, burime franceze, por edhe ato ruse nuk e mohojnë që këto territore banohen me shumicë shqiptare”, u shpreh ai.

Mbi përpjekjet për pavarësi dhe fillimin e luftërave ballkanike jep detaje profesoresha, Ledia Dushku. Ajo thotë se kur fuqitë e mëdha u deklaruan për ndryshim të statusit në Ballkan, filluan tentativat për mbajtjen e një kuvendi për t’i mbledhur shqiptarët nga gjithë krahinat. Dushku u shpreh, se tentativa e parë ishte rreth muajit shtator të vitit 1912 nga Sylja Vlorën dhe të birin Eqrem Vlorën që kryesisht orientoheshin në aspektin diplomatik, por që dështoi. Pas saj ishte iniciativa e dytë nga Shkupi të Shoqërisë “Dora e Zezë” dhe “Shpëtimi”, nga Sali Gjuka, Mit’hat Frashëri por pa sukses. Këto dështime, sipas saj, arritën për shkak të një mungesë të qendrës organizative nga shqiptarët, teksa u shpreh se në momentin e fundit të luftës ballkanike, atëherë kur u kuptua se Perandoria Osmane do të ishte humbësja e kësaj lufte erdhi iniciativa e tretë me sukses nga Ismail Qemaili. I cili pasi siguroi mbështetjen e Austro-Hungareze dhe Italiane, shkoi në Kuvendin e Vlorës për të shpallë pavarësinë. Në këtë kuvend historik, Kosova sipas saj, përfaqësohej nga Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka, Mih’tat Frashëri dhe Isa Boletini. Kjo dëshmohet edhe në fotografitë në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

“ Në një situatë të tillë, atëherë kur u kuptua se çadra osmane nuk mund t’i mbronte dot më. Elita politike shqiptare, veçanërisht kur fuqitë e mëdha e deklaruan në fund të tetorit se status kuos në Ballkan, nuk mund të jetonte më, u shprehën në pajtim për prishjen e status kuos në Ballkan. Elita politike shqiptare kuptoi se duhet të reagonte. Më shumë se një aksion çlirimtar, tashmë veprimet e tyre duhet të ishin diplomatike. Pra vëmendja e tyre do të duhej të përqendrohej në kontakte të herëpashershme të menjëhershme me fuqitë e mëdha që mund të mbështesnin krijimin e një shteti autonom apo të pavarur shqiptar. Në këtë kuadër na vijnë tre iniciativa të ndryshme nga elita politike shqiptare për mbajtjen e një kuvendi. Me anën e të cilin do të diskutohej se cili do të ishte qëndrimi i shqiptarëve në kuadër të luftë së parë Ballkanike. Iniciativa e parë në kohë vjen nga një pinjoll i familjes Vlora. Bëhet fjalë për Sylja Vlorën dhe të birin Eqrem Vlorën. Në përpjekje për të organizuar shqiptarët, ata lëshojnë telegrame për t’u mbledhur në Vlorë, në një kuvend të shqiptarëve për të diskutuar reagimin e shqiptarëve në kuadrin e luftës. Sigurisht në këtë moment nuk bëhet fjalë për krijimin e një shteti të pavarur shqiptarë. Kërkesat maksimaliste të tyre shkonin deri tek autonomia. Mendohej një gjë e ngjashme sikur Lidhja e Prizrenit…vjen iniciativa e Ismail Qemaili dhe e Luigj Gurakuqit, të cilit në fund të tetorit lënë Stambollin shkojnë në Bukuresht. Kemi mbledhjen e Bukureshtit në 5 nëntor, sigurisht një mbledhje tejet e rëndësishme për organizimin e shqiptarëve. Por nuk e përcaktoi se Shqipëria do të ishte autonome apo e pavarur. Kjo do të përcaktohej duke marrë pajtimin e fuqive të mëdha. Dy mbështetësitë kryesore ishin Austro-Hungaria dhe Italia. Pasi Ismail Qemaili siguroi mbështetjen e tyre shkoi në Kuvendin e Vlorës”, thotë ajo.

Pas shpalljes së pavarësisë erdhën vendimet shumë të vështira për shqiptarët. Në situatën e krijuar në vitin 1913, u organizua konferenca e ambasadorëve në Londër, ku u copëtuan territoret shqiptare. Në lidhje me këtë, drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta i paraqet propozimet e dhëna në atë kohë, nga palët përshirë Perandorinë Austro-Hungareze dhe ato Ruse. Sipas tij, Austro-Hungarezët me mbështetjen e Italisë dhe Gjermanisë, paraqitën një projekt kompromisi ku kufijtë e shtetit shqiptarë i përfshinin një pjesë të Kosovës, por liheshin disa territore të banuara me shqiptarë jashtë. Kurse, propozimi më i keq në këtë konferencë ishte ai i Rusisë me mbështetjen e shteteve sllave, ku Shqipëria reduktohej në një Shqipëri të mesme me popullsi myslimane.

“Në konferencën e Londrës palët, blloqet dolën me variantet e tyre. Perandoria Austro-Hungareze që mbështetej nga Italia dhe Gjermania paraqiti një projekt të saj për kufijtë e shtetit shqiptarë që përfshinte edhe një pjesë të konsiderueshme të territorit të Kosovës. Jo gjithë, sepse duke treguar që ishte e gatshme që të bënte lëshime për të shkuar drejt një kompromisi. Ky ishte projekti më i favorshëm, por ama jo më i drejti për shqiptarët. Për faktin se linte shumë territore që banoheshin nga shqiptarët jashtë. Ky ishte një projekt kompromisi mbi të cilin Austro-Hungaria do të bënte lëshime të reja dhe do të tërhiqemi nga territore të reja. Qeveria Ruse, perandoria Ruse paraqiti një projekt tjetër shumë të reduktuar. Shumë më të reduktuar se shteti i sotëm. E reduktonte Shqipërinë në një Shqipëri të mesme me popullsi myslimane. Ky ishte një projekt i Serbisë dhe Greqisë, pak a shumë me diferenca të vogla. Sigurisht duhet harta për t’i parë. Zgjidhja ka qenë një zgjidhje kompromisi, e mesme që janë bërë skonto nga projekti Austro-Hugarez. Por ama është zmadhuar territori që ka paraqitur projekti rusë në konferencën e ambasadorëve. Sigurisht projektet që diskutoheshin zyrtarisht ishin të fuqive të mëdha. Ndërsa vendet e Ballkanit kanë paraqitur projektet e tyre kishin të drejtë por nuk kishin materiale zyrtare për të marrë në shqyrtim. Komisioni i kufijve në konferencën e Londrës ka shqyrtuar këto projekte dhe mbi këto janë bërë kompromise”, tha ai.

E kompromisi në kuadër të diskutimeve të fuqive të mëdha ishte reduktimi i projektit austro-hungarez, që është Shqipëria e sotme, por edhe zmadhimi i projektit të prezantuar nga rusët. Mbi këtë kompromisë u njohë dhe u pranua pavarësia e shtetit shqiptarë nga fuqitë e mëdha.

“Kompromiset kanë qenë mbi interesat gjeopolitike të fuqive të mëdha. Austro-Hungaria kërkonte një shtet shqiptar sepse donte të shmangte dominimin sllav në Ballkan daljen e rusëve përmes Serbisë dhe Malit të Zi në Detin Adriatik. Franca dhe Rusia donin të zmadhonin sa më shumë shtetet ballkanike në kurriz të Shqipërisë. Pra Greqinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Franca e kishte pranuar daljen e Rusisë në Adriatik, megjithëse ka diferenca me Britaninë e Madhe”, thotë ai.

E për këtë vendim të konferencës së ambasadorëve në Londër, historiani Frashër Demaj thotë se me shumë se gjysma e territoreve shqiptare kanë mbetur jashtë shtetit shqiptarë.

“Aty kanë mbetur jashtë shtetit shqiptar pas konferencës së ambasadorëve në Londër kanë mbetur jashtë mbi 24 mijë kilometra katror të territoreve shqiptarë të banuara me shqiptarë kanë mbetur jashtë shtetit shqiptarë. Këtu kemi parasysh kompletë krahinën e Qamërisë. Pastaj territoret perëndimore të Maqedonisë Veriore, pastaj ka mbetur jashtë Kosova kompletë përfshirë Luginën e Preshevës, e cila natyrisht atëherë ishte vilajet i Kosovës. Dhe ka mbetur një pjesë e territoreve shqiptare në Malësinë e madhe që ishin pjesë e vilajetit të Shkodrës”, thotë Demaj.

Populli shqiptarë asnjëherë nuk u pajtua me ketë ndarje duke vazhduar luftën për bashkim me Shqipërinë. Pas copëtimit të shtetit shqiptarë më 1913, që ishte e përfshirë në katër vilajete apo njësi administrative, territoret shqiptare u copëtuan duke mbet Qamëria e pushtuar nga Grekët dhe pjesët e tjera ndër pushtimin jugosllavë.Tokat shqiptare gjatë pushtimit jugosllavë u copëtuan përsëri duke iu dhënë një pjesë Malit të Zi, një pjesë Serbisë dhe gjysma e Maqedonisë së sotme, e cila u krijua pas luftës së dytë botërore, është me toka shqiptare. Pas luftës se dytë botërore, shqiptarët nën pushtimin e Jugosllavisë, asnjëherë nuk u ndalën duke arritur që një pjesë të quajtur tani Kosovë të krijuar artificialisht nga ish-Jugosllavia ( Vilajeti apo Republika e Kosovës me herët e kishte qendrën në Shkup) të marrin autonomin, të rikthejnë me protesta dhe gjak përdorimin e Flamurit kombëtar më 1968, të themelojnë universitetin më 1970, të marrin të drejtat e Republikës me kushtetutën e 1974-es, të kërkojnë Republikë me 1981 dhe pas një lufte të përgjakshme dy vjeçare më 1998-1999, me pushtuesin serbë, ku u vranë mijëra ushtarë shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u masakruan mijëra civilë dhe u dhunuan mbi 20.000 gra shqiptare, të shpallet pavarësia në vitin 2008, shteti i dytë shqiptarë në Evropë, Republika e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA