Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë hapa konkretë për t’i ardhur në ndihmë zonave të prekura më shumë nga tërmeti që goditi sot Shqipërinë.

Përveç ndihmës me mjete dhe forca në njerëz të dërguara në zonat e prekura në operacionet e shpëtimit në terren, Këshilli Bashkiak në mbledhjen e sotme miratoi një fond ndihme financiare prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës dhe në mënyrë të posaçme për Thumanën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij theksoi se Tirana ngriti sot flamurin e solidaritetit me të gjithë ata që në këto momente janë në vështirësi nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm.

“Sot në fakt kishim planifikuar një ditë tjetër, të festonim ngritjen e flamurit në Tiranë, është 107 vjetori kur Tirana ngriti flamurin. Mesa duket fati, historia na thirri të ngrinim një tjetër flamur sot. Patjetër atë shqiptar, por atë shqiptar me solidaritet, me përkrahje, mirësi, dashuri, në një situatë paniku e fatkeqësie. Do të doja që t’ju bëja një thirrje ta mbajmë të gjithë lart këtë lloj flamuri shqiptar, të solidaritetit. Ndaj sot akordojmë menjëherë një ndihmë prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës, aty ku ndodhet Thumana. Është zona më e prekur, ndërkohë që me Valbonën, kryetaren e bashkisë së Durrësit do duhet të komunikoj në ditët në vijim, që të shohë edhe ajo pasi të kalojë emergjenca, se çfarë janë nevojat, edhe të bëjmë prapë një ndihmë të dytë për Durrësin. Por për Thumanën, duke qenë se është një vend i vogël dhe emergjenca e madhe, dhe një bashki me pak të ardhura, dua që ta ofrojmë këtë solidaritet, teksa me rimëkëmbjen e vet, siç i ka hije çdo shqiptari, do të duhet të mendojë edhe për fqinjët, edhe për fqinjët tanë të Thumanës dua që të akordojmë këtë ndihmë të emergjencës”, – tha Veliaj.

Ai theksoi se skuadra e emergjencës dërguar në Durrës kontribuojë në mënyrë direkte në shpëtimin e jetwve që gjendeshin nën rrënoja. “Besoj që të gjithë biem dakord që nuk kemi ç’i bëjmë tërmetit, fatkeqësive të tilla, por kemi ç’i bëjmë mënyrës se si reagojmë. Teksa përpjekja vazhdon kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë kolegët e Bahskisë së Tiranës që një pjesë janë atashuar ekipeve në Durrës dhe Thumanë, pasi mbaruan me emergjencat këtu që në orët e para të mëngjesit nga ora 04:00 deri në 08:00, pastaj u kam dhënë leje që të vazhdojnë të kontribuojnë aty. Shoh disa nga anëtarët e Këshilli Bashkiak që kanë çuar mjetet e tyre private nga Tirana për të asistuar. Sot besoj që heronjtë e vërtetë janë çdo ushtar, polic, fadromist, mjek, zjarrfikës, staf i Emegjencave Civile, kushdo që ka dalë mbi detyrën e vet. Nuk ka parë orën apo familjen e vet, por në atë rrëmujë sistemuan punën në Tiranë dhe iu bashkuan forcave në Durrës e THumanë.”, u shpreh Veliaj.

Ai gjithashtu bëti të ditur se Tirana në respekt të viktimave dhe kësaj fatkeqësie natyrore ka anuluar të gjitha festimeve të organizuara me rastin e festës së Flamurit dhe atë të Çlirimit. “Do të anulojmë dhe të gjitha veprimtaritë festive të Natës së Bardhë. Nuk është ky momenti, do kemi një kohë tjetër për të festuar. Por teksa Shqipëria është në zi prej kësaj fatkeqësie, ne do të bëjmë minimumin e respektit ndaj simboleve kombëtare dhe flamurit, po për festat do të duhet të ketë një moment tjetër. E thonë librat e shenjtë, ka një moment për të qarë, dhe një moment për të qeshur. Një moment për t’u veshur me të zeza, një moment për të bardhat. Ky nuk është ai momenti për festim, kështu që do kërkojmë nga Bashkia kancelimin e çdo aktiviteti tjetër, përveç minimumit të protokollit për ditën e Flamurit edhe për ditën e Çlirimit”, bëri të ditur Veliaj.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se Tirana do të rrisë edhe flotën e saj të zjarrfikëseve për të rritur kapacitetin dhe reagimin në moment vështirësish.

“Ndërkohë, do të kërkoj gjithashtu që me vendim të emergjencës, sot Bashkia e Tiranës është përveçse të mbulojë nevojat e veta, ka çuar mjete zjarfikëse në bashki edhe në qytete të tjera. Kam kërkuar që në këtë situatë emergjence ne të shtojmë flotën tonë zjarrfikëse. Dakord që kemi superheronj, por s’ka pse strapacohen me pak. Është ky moment të reflektojmë, jo kur të na vijë vakia tjetër, por që sot ne do të rritim flotën zjarrfikëse. Kemi të njëjtën flotë që kishte kur qyteti ishte i vogël, jo më tani që qyteti është nga Zallbastari në Ndroq, edhe nga Kashari në Krrabë, dhe pastaj të japim ndihmë edhe për bashkitë e tjera. Kështu që meqë jemi në fund të vitit buxhetor, besoj se do më aprovoni edhe këtë ndihmë për të rritur kapacitetet edhe nevojat. Kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm. Kam folur me pjesën më të madhe të ambasadorëve. Me pjesën më të madhe të kryeministrave të botës. Të gjithë kryetarët e bashkive të rajonit më kanë kontaktuar. Madje, kryetari i bashkisë së Shkupit na ka dërguar një grup që bën imazhe me dron gjeotermik, pra në bazë të temperaturës së trupit të njeriut na tregon se çfarë ka në rrënoja, dhe ku është ekzaktësisht vendi ku duhet kërkuar, që të sigurohemi që orët që kemi maksimizohen totalisht, edhe dua ta falenderoj kryetarin e bashkisë së Shkupit, edhe gjithë kryetarët e tjerë për solidaritetin”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA