Hermes Nikaj i njohur ndryshe si “Zogu i Tiranës” është arrestuar nga policia pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzimit të prostitucionit”.
Nga hetimet rezulton se 28 vjeçari bashkëpunonte edhe me 3 shtetas të tjerë dhe siguronin femra për shfrytëzim prostitucioni.
Të arrestuarit e tjerë janë shtetasit: A.Gj, 47 vjeç, A. B., 43 vjeçe dhe A. N., 43 vjeç.
Më poshtë do gjeni edhe njoftimin e plotë të policisë:
Finalizohet operacioni “YOUR TURN”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit për prostitucion.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bashkëpunim dhe me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë.
Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe procedohen në gjendje të lirë dy shtetase.
Sekuestrohen shuma parash, automjete dhe aparate celularë.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Seksionin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi gati 1-vjeçar me metoda proaktive ka finalizuar me sukses operacionin “YOUR TURN”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm në fushën e shfrytëzimit dhe ushtrimit të prostitucionit.
Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, në ambientet e një hoteli në autostradën “Tiranë-Durrës“ janë arrestuar në flagrancë gjatë operacionit “Your Turn”, shtetasit:
– H. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prostitucionit”.
– A. Gj., 47 vjeç, banues në Mamurras-Kurbin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.
Në kuadër të këtij operacioni më datë 09.11.2019, janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit:
– A. B., 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”.
– A. N., 43 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Kanada, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.
Në kuadër të këtij operacioni ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe për dy shtetase, 20 e 32 vjeçare banuese në Tiranë, të dyshuara për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.
Nga hetimet e deritanishme të kryera nga rezulton se shtetasi H. N., siguronte femra të ndryshme për klientë të interesuar për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 10.000 deri 20.000 lekë për 2 orë.
Ndërsa shtetasja A. B., nëpërmjet qendrës së saj estetike fillimisht punësonte femra si kursante ose si parukiere dhe më pas i rekrutonte ato për prostitucion duke i dërguar ato në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 500 deri në 700 Euro nata.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka patur edhe shumë raste të tjera që shtetasit e lartpërmendur kanë dërguar femra në hotele dhe banesa të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe qytete të tjera, ku po punohet për dokumentimin e tyre.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2 fuoristrada të markës BMË, 10 aparate celular të markës I-Phone, Black Berry, Samsung dhe LG, dhe një sasi lekësh, euro dhe dollarë.
Materialet e para procedurale ju përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prostitucion’’ dhe ‘’Shfrytëzimi i prostitucionit’’.
Top Channel