Për dy javë Ministria e transportit dhe lidhjeve në Qeveri duhet të dorëzojë propozimin e ri të Ligjit për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Qytetarët që do duan ta legalizojnë ndërtimin e paligjshëm do duhet të paguajnë tërë shumën që kanë pasur për obligim t’ia paguajnë komunës para se të fillojnë me ndërtimin. Dhe si dënim shtesë, 50% nga shuma e taksave komunale. Pritjet e pushtetit janë se ligji i ri do jetë gati deri në fund të vitit.

“Që të mos ketë hamendje, procedurat që udhëhiqen në komunat, ata procedura vazhdojnë nga një euro, meqë komunat për një pjesë të lëndëve nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin për legalizim. Ndërsa afati i tij ishte 31 dhjetor të vitit 2018, dhe komunat ende veprojnë sipas këtyre procedurave“, tha Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Në përgatitjen e Ligjit është përfshirë edhe bashkësia e vetëqeverisjeve lokale. Kryetari i BNJVL-së Petre Shilegov shprehet se legalizimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme për një euro për metër katrorë është tepër pak dhe populizëm i pastër.

“Duhet të pushojmë me miratimin e vendimeve me të cilat i stimulojmë mos paguesit për shkak se kjo është jo korrekte ndaj qytetarëve që rregullisht i shlyejnë obligimet. Ndërtimi i paligjshëm duhet edhe nga kuptimi ekonomik që ta bëjmë pa leverdi që të pengojmë kujt si t’i kujtohet të ndërtojë, e më pas për një euro ta legalizojë“, u shpreh Petre Shilegov, kryetar i BNJVL-së.
Çdo mendim aktual për ligj të ri të këtij lloji është vetëm tentim për legalizimin e asaj që duhej të pengohet ose të rrënohet, shprehen nga VMRO-DPMNE-ja. Opozitarët konsiderojnë se çmimi që përmendet prej 100% taksa komunale më nuk është masë për vendosjen e rendit sa më të madh në shtet, por ndoshta për legalizimin e vikend shtëpizave dhe objekteve të shumta luksoze pa dokumente.

“Me ligjin për legalizim janë përfshirë ndërtime në një periudhë të caktuar kohore, që të vihet rend në kaosin që mbeti nga LSDM-ja, të tërhiqet një vijë për të pasur shqyrtim të mirëfilltë, cila është, e kujt është dhe sa është, e më pas shteti dhe komunat të mund të arkëtojnë tatime nga këto ndërtime, pronarët e të cilave i kanë përdorur shërbimet e njëjta infrastrukturore, pa paguar për to“, thonë nga VMRO-DPMNE.

Sipas informacioneve që i kemi, ligji i ri nuk do të vlejë për ndërtime kontestuese në rajonin e Ohrit për të cilat rrezikohet statusi i qytetit për UNESKO. Ndryshe, të dhënat zyrtare nga Agjencia për kadastër të patundshmërive janë se deri sot janë parashtruar dhe zgjidhur pozitivisht 244.334 kërkesa për legalizim të ndërtimeve pa leje me ligjin aktual.
Ile Petrevski, marrë nga AlsatM

Top Channel