Sporti është padyshim një nga profesionet më të vështirë që kërkon përkushtim maksimal ditë pas dite.

Futbolli, më i përhapuri në vendin tonë veç përgatitjes së vazhdueshme ka dhe një problem, përfundon shumë shpejt. Ky është një nga profesionet që përfundon më shpejtë dhe si i tillë ndonjëherë i kap protagonistët të pa përgatitur.

Për të mësuar më tepër rreth kësaj teme jemi ndalur të flasim me dy ish sportistë si Bedri Omuri, i cili aktualisht punon në bashki si specialist sporti dhe Florian Riza qe prej disa muajsh ka marrë postin e shefit të sektorit të futbollit të femrave.

‘’Në përgjithësi fundi karrierës i kap të gjithë pa përgatitur. Futbolli zgjat pak, nuk mund të luhet më tepër se 15 vjet. Mesa po shohim si tendencë e fundit të gjithë po bëjnë kurse për trajner. Duket sikur shumica që sapo kanë lënë futbollin preferojnë këtë fushë’’, tha Bedri Omuri, specialist sporti.

‘’Problemet pasi e lë futbollin janë shumë të mëdha. Vec faktit që mbetesh pas në gjithë sitemet shoqërore që ka jeta, të duhet të rigjesh veten në një moshë relativisht të madhe’’, tha Florian Riza, shef i sektorit të futbollit të femrave .
Cfarë këshille do kishin ata për futbollistët aktual?

‘’Normalisht duhet të bëjnë një zgjedhje. Ata që kanë mundësi ekonomike pse jo të hapin një biznes, ndërsa dikush që nuk preferon të ndërrojë fushë atëherë të vijojë në sport’’, tha Omuri.

‘’Unë vetë i kam provuar të gjitha. E vetmja gjë që dimë të bëjmë ne është futbolli. Unë sa herë kam tentuar të dal jashtë kësaj kam dështuar plotësisht ndaj besoj që futbolli tenton të na ndajë ne, por ne jemi të aftë ta mbajmë gjithmonë me vete’’, u shpreh Riza.

Mesazhi është mëse i qartë, të gjithë duhet të nisin gradualisht të mendojnë për një profesion tjetër.Futbolli zgjat pak, ndaj protagonistët duhet te hartojnë planin B më shpejt nga çe mendojnë.

Sidorela Gjoni

Top Channel