Kajmaku, prokurë që në 31 tetor/ Ish kryebashkiaku i Vorës në arrati e ka pajisur avokatin e tij për çështjen

23/11/2019 15:13

Ky urdhër i prokurorit Kol Hysenaj, drejtuar Dhomës Kombëtare të Noterisë, nuk ka asnjë efekt, që do të sillte pengimin e të kërkuarit Agim Kajmaku, të lëshonte një prokurë për avokatin e tij.

Top Channel mëson se në fakt ish kreu i bashkisë së Vorës, Kajmaku, i cili ndodhet ne arrati, ia ka lëshuar prokurën për të mbrojtur interesat e tij, avokatit Isuf Shehu, disa ditë përpara se prokurori i çështjes të bënte këtë kërkesë.

Prokura e firmosur nga Agim Kajmaku, mban datën 31 tetor, përpara se ai të shpallej në kërkim dhe dy javë përpara urdhrit të prokurorisë, e cila, paralajmëroi noterët me mjaft vonesë, edhe pse u duk si veprim parandalues i prokurorisë:

Në fakt, ish kryebashkiaku Agim Kajmaku, në të gjithë këtë histori hetimi, ka qenë disa hapa para prokurorisë, madje edhe vet policisë, e cila kur shkoi për ta arrestuar nuk e gjeti në shtëpi, por u prit nga familjarët e tij.

“Vendimi përkatës botohet dhe komunikohet në fletoren më të parë zyrtare. E vërteta është që vendimi i KQZ-së për shkarkimin e z.Kajmaku, i datës 1 tetor, është publikuar në fletoren më të parë zyrtare që është ajo e datës 13. Ky lloj referimi mund t’i japë shumë lehtë zgjidhe konfliktit për akuzat e ngritura ndaj zotit kajmaku, për ushtrimin e funksioneve jashtë mandatit dhe falsifikimin e dokumentave”.

Në dosjen e prokurorisë, Agim Kajmaku, përveç akuzës së falsifikimit të formularëve, akuzohet për falsifikim të dokumentave, si dhe për ushtrim të funksioneve jashtë mandatit. Sipas prokurorisë, ditën që KQZ-ja i ka ndërprerë mandatin Agim Kajmakut, ai ka shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë dhe ka emëruar nënkryetarin aktual Gentian Picari, i cili po drejton bashkinë në mungesë të Kajmakut.

Andi Bora

Top Channel