Korrespondenti i Top Channel në Londër, Arben Manaj zbuloi sot shumë të pathëna në Top Talk për atë që është kthyer në një fenomen të shpeshtë, kalimin si klandestin për në Britaninë e Madhe.
“Nga puna që unë kam dhe kontaktet e mia, di që shifrat shkojnë nga 13 deri në 15 mijë stërlina”, thotë Manaj.
Manaj kujton se emigrimi masiv ka filluar pas viteve 95-96 dhe deri në 2005 ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm të emigrantëve.
Ai e shpjegon ketë me faktin se “Britania ka pasur një politikë emigracioni shumë të favorshme, qoftë për strehimin, për ndihmat sociale arsimimin, ishte me të vërtetë një Eldorado kjo që ndodhte në Britani të madhe dhe jo vetëm për shqiptarët”.
Duke iu rikthyer asaj se si shqiptarët shkojnë në Britaninë e Madhe ai thotë: “Rrugët kryesorë që shqiptarët vijnë në Britani të Madhe janë përmes fshehjes së tyre në kamione ose maune që vijnë nga Franca nga Belgjika, Hollanda apo edhe nga Spanja.
Vijnë pothuajse çdo ditë dhe janë numra të frikshëm dhe rasti më i fundit ishte para disa ditësh me një formë të re, përmes skafeve. Një skaf i mbushur me shqiptarë të cilët paguajnë 10-15 mijë stërlina dhe i braktisur në momentin e parë që mbërrin në tokën britanike në jug të Anglisë dhe njerëzit pastaj shpërndahen përmes telefonatave, me njerëz që i presin, është më se e organizuar. Kjo është tendenca më e fundit e ardhjes së tyre”.
Top Channel