Greqia do të mbyllë kampet e mbipopulluara të refugjatëve në ishujt e saj dhe do t’i zëvendësojë ato me pesë qendra të mbyllura ku do të mbahen të gjithë ata emigrantë apo refugjatë që vijnë nga brigjet turke deri në shqyrtimin e kërkesës së azilit.

Gjithashtu deri në janar të 2020 do transferohen mbi 20000 persona prej hotspoteve të ishujve të Egjeut drejt qendrave të posaçme apo hoteleve të prenotuara të Greqisë kontinentale.

Këto janë disa nga pikat kryesore të planit urgjent të qeverisë greke për përballimin e krizës migratore duke dashur të çojë një mesazh tek të gjithë emigrantët që kërkojnë të hyjnë në Greqi për të qëndruar këtu apo për të shkuar drejt Europës. Do të presin të mbyllur tashmë në keëo qendra aprovimin e azilit dhe në rast të kundërt do të kthehen menjëherë andej nga kanë hyrë.

“Plani i ri parashikon ruajtjen e kufirit me një agjenci të re për mbikëqyrjen e kufijve, përshpejtimin e procesit të azilit, funksionimin e qendrave të mbyllura në ishujt dhe kthimet e menjëhershme”- tha Alkiviadis Stephanis, Zëvendës Ministër i Mbrojtje.

Athina vlerëson se procesi ekspres i dhënies ose jo të azilit që deri tani kërkonte 218 ditë, do të frenojë fluksin e madh ndaj dhe do të punësojë edhe 500 persona të tjerë në zyrat e kërkesave për azil që kanë shkuar në 67000 brenda vetëm një viti.

“Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka ngritur çështjen në të gjitha kontaktet e tij me krerët europianë, në Kombet e Bashkuara dhe në Samitin e BE. Theksojmë nevojën për përgjegjësi dhe solidaritet, forcimin e rolit të Frontex, ndryshimin e marreveshjes së Dublinit, formimin e një politike të përbashkët europiane të azilit, por edhe një ndarje të drejtë të barrës se krizës migratore” tha – Stelios Petsas, zëdhënës i qeverisë.

Ndërsa qeveria Mitsotakis trumbeton se me masat që po merr do të mbyllet edhe kampi famëkeq i Morias, me i madhi në Europë dhe me kushtet më çnjerëzore, të gjitha partitë opozitare kritikojnë këtë plan duke e quajtur të pamjaftueshëm, të pamenduar dhe të pallogjikshëm.
Nga Aleksandër Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA