Për herë të parë vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht Gjermania mbetet shteti që ka eksportuar më së shumti në Kosovë që nga koha e vendosjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë.

Sot mbushen një vit nga hyrja në fuqi e vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, gjë e cila pati një efekt të jashtëzakonshëm në bilancin tregtar.

Derisa para një viti Kosova kishte importuar mallra nga Serbia në vlerë rreth 450 milionë euro, që prej vendosjes së taksës, në vendin tonë janë importuar vetëm 3 milionë euro nga ky shtet.

Edhe pse kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj po lavdërohet për vendimin e tij karshi Serbisë, njohës të ekonomisë thonë se Kosova nuk përfitoi në aspektin politik dhe as ekonomik.

Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se Kosova ka importuar nga Serbia vetëm 3.3 milionë euro në këtë periudhë, derisa kohë më parë brenda një viti janë importuar rreth 450 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës thotë për KosovaPress se taksa ka ndikuar që për herë të parë Kosova të ketë një bilanc tregtar pozitiv me Serbinë, ku arriti të eksportojë 12 milionë euro produkte në këtë shtet.

Stavileci shton se taksa e bëri Gjermaninë të jetë shteti në listën e parë nga ku janë importuar më së shumti mallra prej Kosovës.

Stavileci: Për një vit kemi importuar nga Serbia vetëm 3.3 milionë euro mallra.

“Nëse shikohet bilanci tregtar me Serbinë, taksa ka ndikuar që për herë të parë Kosova të ketë një bilanc tregtar pozitiv me Serbinë për shkak se gjatë kësaj periudhe ne kemi eksportuar rreth 12 milionë euro produkte atje derisa ne kemi importuar mallra nga Serbia rreth 3.3 milionë euro.  Kështu që mund të themi se kemi një bilanc pozitiv, por jo domosdoshmërish kjo përkthehet si rezultat i ekonomisë kosovare, por si rezultat i efektit të taksës së aplikuar”, deklaroi Stavileci.

Ndërsa, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj duke folur për efektet e taksës, thotë për KosovaPress se duhet vazhduar përkrahjen e prodhuesve vendorë, pasi me këtë ndihmohet edhe rritja e zhvillimit ekonomik.

Haradinaj, i cili vazhdon jetë këmbëngulës për mbetjen e taksës në fuqi, thotë se 1.2 miliard euro para të gatshme kishin përfunduar për çdo vit në Serbi, sipas të cilit ka qenë gabim i madh.

Haradinaj: Krejt paraja jonë ka përfunduar në Serbi.

“Krejt paraja jonë ka përfunduar në Serbi. Na nuk jemi ekonomi, ne jemi vetëm treg, veç tezga e të tjerëve edhe e ekonomive të tjera, jo vetëm e Serbisë, po Serbia e ka pasur çmimet shumë të ulëta sa që i ka demotivuar prodhuesit tanë me prodhua dhe ua ka pamundësuar me garë jo fer, me subvencione, me përkrahje me të tjera. Ne duhet me vazhduar me i dhënë prodhimit, se prodhimi është ekonomia”, thotë Haradinaj.

Për zëvendësimin e produkteve nga Serbia, ai thotë se një pesë e tyre janë zëvendësuar me produktet vendore, që është një tregues për ekonominë e Kosovës.

Haradinaj: Taksa është një shans për ekonominë e Kosovës.

“Një pjesë e këtyre mallrave është kompensuar me mallra të vendit, me prodhues, ky është një tregues i jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit fakti që prodhuesit kanë filluar me ardhur në shprehje në treg, në ekonomi”, tha ai.

Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu i cili ka qenë kundër taksës vazhdimisht, tha për KosovaPress se një masë e tillë ka qenë e gabuar, pasi sipas tij, nga një masë e tillë 100 për qind fituesi më i madh është Serbia, duke u shndërruar në viktimë, derisa në fakt viktimë ekonomike ka qenë Kosova dhe sektori i saj privat.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës vlerëson se taksa ndikoi në rritjen e çmimeve për produktet, dhe e bëri vendin një ndër shtatë shtetet më të shtrenjta në Evropë.

Gërxhaliu: Taksa e bëri Kosovën ndër shtatë shtetet më të shtrenjta në Evropë.

“Qëndroj edhe më tutje se një taksë e tillë ka qenë politike me qëllim që të prodhohet populizëm, në veçanti që në zgjedhjet e 6 tetorit të ketë ky koalicion (PAN) vota më shumë. Në aspektin politik Kosova ka humb, qoftë në atë të brendshëm dhe të jashtëm, në veçanti në aspektin e jashtëm ku të gjithë sponzorizuesit e pavarësisë kanë qenë kundërshtar të një vendimi të tillë. Dhe për hir të kokëfortësisë të individëve të caktuar, një masë e tillë edhe më tutje ka mbetur. Në rend të dytë në aspektin ekonomik, unë habitem me njohës të ekonomisë që nuk e kuptojnë termin inflacion dhe rritja e çmimeve të shportës së qytetarëve dhe Kosova është njëra ndër shtatë shtetet më të shtrenjta në Evropë”, thotë Gërxhaliu.

Ndikimi i taksës 100% në tregti, sipas një raporti të Institutit GAP, çdo vit, Kosova ka importuar mallra me vlerë prej 400 milionë euro nga Serbia dhe rreth 80 milionë euro nga Bosnje e Hercegovina. Së bashku, këto dy shtete përbëjnë rreth 17% të importit të përgjithshëm të Kosovës.

“Pas vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake, importi nga këto vende pësoi një rënie drastike. Mirëpo përkundër kësaj, të dhënat e fundit të Doganës së Kosovës tregojnë se deficiti tregtar është rritur për 5.4%. Gjatë periudhës nëntor 2018, kur është vendosur taksa, e deri në mars 2019 janë importuar nga të gjitha vendet gjithsej 77 milionë euro (6.4%) më shumë krahasuar me muajt e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raportin e GAP të publikuar muaj më parë.

Kujtojmë, më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim që produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja të taksohen 100%.

Propozimi erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili në të njëjtën mbledhje kërkoi edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan “Kosova e Metohija”.

Ky vendim i Qeverisë kosovare erdhi vetëm një ditë pasi vendi dështoi të anëtarësohej në Interpol për shkak të fushatës së egër serbe kundër Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj në atë kohë e mbështeti nismën duke thënë se ajo do të mbetet deri në reflektimin e Beogradit dhe njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Një vit më pas, Kosova nuk është njohur nga Serbia, por shumëçka ka ndryshuar pas ngjarjeve që rrodhën më pas.

Të parët që reaguan ishin serbët, të cilët filluan me protesta e që u pasua me dorëheqjet e kryetarëve të komunave serbe, të cilët vetëm disa muaj më vonë në zgjedhjet e jashtëzakonshme u rizgjodhën.

Liderët botërorë bënë thirrje që taksa të hiqet, ose në rastin më të mirë, siç propozonte SHBA, të pezullohej.

Kjo çështje filloi të lëkundte edhe skenën politike vendore, me presidentin Hashim Thaçi që fillimisht deklaroi se taksa nuk duhej të mbahej, por që më vonë ndryshoi qëndrim për shkak të fushatës së ashpër të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe bllokimit të dialogut duke kushtëzuar atë më heqjen e taksës.

Më pas, komunat veriore serbe tentuan të inskenojnë një krizë humanitare duke mbyllur dyqanet e duke deklaruar se nuk kishte produktet bazike, por siç kishte zbuluar edhe inteligjenca e gjitha rezultoi të ishte një farsë.

Kryetari i Kuvendit dhe njëherësh i PDK-së, Kadri Veseli, në verën e këtij viti nga SHBA deklaroi se taksa duhej të pezullohej pasi rrezikonte miqësinë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

E gjitha kulmoi me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj me arsyetimin se ishte ftuar nga Gjykata Speciale, ndërsa më vonë do të pohonte se ka pasur presione për heqjen e taksës.

Tashmë Kosova gjendet në një realitet të ri politik me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, si kandidatin e mundshëm për të marrë postin e kryeministrit. I njëjti ka premtuar se me Serbinë do të ketë vetëm reciprocitet politik e ekonomik./I. Shabani/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA