Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit Fitim Lladrovci për shkak të veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.
Prokuroria Speciale njofton se Lladrovci ka bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste, pasi që prej vitit 2018 e deri më 24 prill 2019, përmes rrjetit social Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur në kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve 45 fëmijë.
Ai kishte komentuar “Me ndihmën e Allahut, bijtë e Ummetit sulmuan aty ku dhemb më shumë, në kishat dhe hotelet në Sri Lankë dhe nesër do të sulmojnë përsëri, por kësaj here në Paris, Londër, Uashington dhe New York. Andaj, pritni se me të vërtetë edhe ne presim nga ju dhe Akidja e Hilafetit është në zemrat dhe mendjet tona, në realitet jemi gjithkund, çdo mysliman është projekt për xhihadin në të ardhmen. Allahu ka premtuar se Xhihadi do të qëndroj deri në orën e fundit (kjametit) dhe besojmë në Allahun”, ka postuar video incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj Organizatës terroriste – Shteti Islamik- “ISIS”.
Prokuroria thotë se përmes këtyre postimeve ai shpreh urrejtje ndaj pjesëtarëve të tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që nga fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë” dhe “Sulmues vetëvrasës”, ku edhe i ka komentuar me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryhen.
I pandehuri me këto veprime ka kryer veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Para kësaj akuze ai u dënua me pesë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë për pjesëmarrje në luftën e ISIS-it në Siri, e po në të njëjtin vit, Gjykata e Apelit ia uli dënimin me tre vjet e gjysmë.
Top Channel