Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti akuzë kundër një shtetasi të Kosovës për shkak të veprës penale “nxitje për kryerjen e veprave terroriste”.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se Fitim Lladrovci, “ka bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste, në atë mënyrë që prej vitit 2018 e deri më 24 prill të vitit 2019, përmes rrjetit social Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur në kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve 45 fëmijë duke komentuar: ’me ndihmën e Allahut, bijtë e Ummetit sulmuan aty ku dhemb më shumë, në kishat dhe hotelet në Sri Lankë dhe nesër do të sulmojnë përsëri, por kësaj here në Paris, Londër, Uashington dhe New York. Andaj, pritni se me të vërtetë edhe ne presim nga ju dhe Akidja e Hilafetit është në zemrat dhe mendjet tona, në realitet jemi gjithkund, çdo mysliman është projekt për xhihadin në të ardhmen. Allahu ka premtuar se Xhihadi do të qëndroj deri në orën e fundit (kjametit) dhe besojmë në Allahun”.
Sipas prokurorisë ai ka postuar “video incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj Organizatës terroriste – Shteti Islamik- “ISIS”. Përmes postimeve ai shpreh urrejtje ndaj pjesëtarëve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që nga fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë” dhe “Sulmues vetëvrasës”, të cilat edhe i ka komentuar me qëllim që të nxisë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryhen”.

Fitim Lladrovci ishte arrestuar në prill të vitit 2019 për shkak të këtyre veprimeve.

Kjo është hera e dytë që ai përballet me drejtësinë. Në janar të vitit 2015 ai ishte dënuar me pesë vjet heqje lirie nën akuzat për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. Në korrik të atij viti Gjykata e Apelit e ndryshoi dënimin në 3 vjet e gjysmë heqje lirie.
Disa qindra qytetarë të Kosovës ishin përfshirë në luftën e Sirisë që nga fillimi i saj dhe aktualisht sipas të dhënave të policisë në zonat e konfliktit janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Në muajin prill të këtij viti, 110 persona u kthyen në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave. Tashmë disa prej tyre janë nën aktakuzë dhe të paktën njëra është dënuar me kusht./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA