Një kapelë e Adolf Hitler, fustanet e Eva Braun dhe një botim me kopertinë argjendi të Mein Kampf, janë mes sendeve që do të dalin në shitje nga një shtëpi ankandesh në gjermani dhe kjo ka ndezur jo pak protesta, veçanërisht nga liderët hebrenj.
Shtëpia e ankandeve Hermann Historica, me qendër në Mynih, do të shesë 900 objekte dhe sende nga rajhu i tretë dhe pavarësisht kritikave, nuk do të tërhiqet.
“Kapela e Hitlerit është një objekt historik, si çdo tjetër. Fakti që pronari i saj ishte një vrasës në masë, është i padiskutueshëm, por gjërat që i përkisnin atij ishin pjesë e atij ambjenti dhe nuk duhen mistifikuar përmes ndalimit të shitjes së tyre sot”, ka thënë Bernhard Pacher.
Rabini Menachem Margolin, drejtues i shoqatës hebreje në Evropë, i ka shkruar një letër shtëpisë së ankandeve, ku kërkonte tërheqjen e objekteve nga shitja.
“Ne besojmë se shitja e objekteve të tilla ka pak vlerë historike por objektet do të blihen nga ata që glorifikojnë dhe justifikojnë veprimet e kriminelit më të madh në Evropë. Kjo shitje nuk duhet të bëhet. Nuk është e paligjshme, por e gabuar”, shkruante ai.
Mes sendeve në ankand ka edhe nga ato që i përkisnin figurave të tjera naziste si Herman Goering dhe Joseph Goebbels. Shumë prej tyre ishin konfiskuar nga ushtarët amerikanë në ditët e fundit të luftës së dytë botërore. Fustanet e Eva Braun, partneres së hershme të Hitlerit, u gjetën në maj 1945 në Salzburg, në Austri.
Top Channel