Legjenda e futbollit shqiptar Rudi Vata ka ngjallur mjaft polemika në orët e fundit për shkak të përfshirjes së djalit të tij me kombëtaren e Irlandës.

Rocco Vata pritet të debutojë me përfaqësuesen e moshave të vendit ishullor, pasi siç bën të ditur ish mbrojtësi shkodran, asnjëherë nuk ka patur interes nga drejtuesit e federatës shqiptare të Futbollit.

“E di që monitorohet edhe nga Skocia por Federata Irlandeze ishte e para që u interesua. Askush nuk më kontaktoi për Rocco, nga FSHF. mendoj që tani gjyshja e djalit, është irlandezja më e lumtur. Njerëzit në Shqipëri e dinë që është përfshirë në listën e Irlandës, dhe shumë prej tyre po më shajnë. Por nëse në Shqipëri do ishin mjaftueshmërisht profesionistë dhe do bënin detyrën, do na kishin kontaktuar”, shprehet Rudi Vata ish-futbollist i Shqipërisë.

Rudi Vata është aktivizuar në 59 ndeshje me përfaqësuesen kuqezi, por edhe pse dëshira e tij mbetet që djalin ta shohë me të njëjtën fanelë, nuk do të ndikojë në vendimin e tij.

“Në Shqipëri nuk treguan respekt dhe profesionalizëm e nëse vazhdojnë, mendoj se djali nuk do luajë kurrë. Nuk mund të diktoj vendimet e djalit por di që ka potencialin të jetë futbollist special”, ka thënë Vata.

Talenti Rocco Vata është përfshirë në listën U-15 të Irlandës, por pavarësisht aktivizimit, ai sërish mund të zgjedhë Shqipërinë në të ardhmen.

Top Channel